75 Mall Live Search
10:34 / E Martë, 09 Qershor 2026 / G T

Caktohen trajnerët për ndeshjen e yjeve mes Rashicës dhe Asllanit

Përballja që do të vërë përballë skuadrat e Milot Rashicës dhe Fisnik Asllanit nuk do të sjellë në qendër të vëmendjes vetëm futbollistët, por edhe emra të mëdhenj të trajningut kosovar.

Skuadra e Milot Rashicës do të drejtohet nga Ismet Munishi dhe Agim Maliqi, dy trajnerë me përvojë të gjatë dhe kontribut të çmuar në futbollin e Kosovës. Të dy njihen për punën e tyre me klube dhe futbollistë të shumtë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e lojës në vend, shkruan Indeksonline

Nga ana tjetër, ekipi i Fisnik Asllanit do të udhëhiqet nga Arbnor Morina dhe Isa Sadriu, trajnerë të respektuar që ndër vite kanë ndihmuar në formimin dhe avancimin e shumë futbollistëve kosovarë.

Prania e këtyre katër emrave të njohur në pankina i jep një dimension të veçantë këtij eventi, duke bashkuar përvojën, traditën dhe figurat që kanë kontribuar në rritjen e futbollit kosovar.

Tifozët do të kenë mundësinë të shohin jo vetëm yjet në fushë, por edhe trajnerë që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës./Indeksonline/