75 Mall Live Search
19:40 / E Mërkurë, 10 Qershor 2026 / MSH1

Nesër realizohet një ushtrim fushor në Vushtrri, Komuna ndan detaje

Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, në partneritet me Kryqin e Kuq të Kosovës ka njoftuar se nesër do të zhvillohet ushtrimi fushor “Vërshimet dhe Zjarret 2026”.

Ushtrimi do të mbahet nga ora 11:00 deri në orën 12:00, në hapësirat e SHMU “Andon Zako Çajupi” dhe në lagjet përreth saj, raporton IndeksOnline.

Sipas Komunës, ky ushtrim organizohet në kuadër të forcimit të kapaciteteve për menaxhimin e emergjencave dhe synon testimin e gatishmërisë, koordinimit dhe reagimit të institucioneve dhe komunitetit në rast të vërshimeve dhe zjarreve.

Në ushtrim do të marrin pjesë përfaqësues të Komunës, shkollës, Policisë së Kosovës, Shërbimit Zjarrfikës dhe Shpëtimit, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Kryqit të Kuq të Kosovës, institucioneve të tjera relevante dhe anëtarë të komunitetit.

“Gjatë zhvillimit të ushtrimit, qytetarët mund të vërejnë lëvizje të automjeteve emergjente, personelit operacional dhe aktivitete simuluese në terren. Njoftojmë se bëhet fjalë vetëm për një ushtrim dhe nuk ekziston asnjë rrezik real për qytetarët” deklaron Komuna e Vushtrrisë.