75 Mall Live Search
12:48 / E Hënë, 15 Qershor 2026 / S Z

Prokuroria kërkon që lënda ndaj Çedomir Aksiqit të bashkohet me atë ku akuzohet bashkë me 20 të tjerë për masakrën e Reçakut

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Çedomir Aksiq, në seancën e së hënës Prokuroria kërkoi që të bëhet bashkimi i dy aktakuzave në të cilat po gjykohet Aksiq, këtë ku gjykohet vetë me atë të masakrës së Reçakut, ku ngarkohet me 20 të akuzuar të tjerë.

Në seancën e së hënës, prokurorja speciale Habibe Salihu, tha se pasi ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, është vënë në dijeni se Çedomir Aksiq, po akuzohet edhe për një rast tjetër për veprën penale të njëjtë, andaj kërkoi të bashkohen të dy aktakuzat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sot, e kam siguruar një aktvendim të Apelit sipas së cilit aktvendim është duke u zhvilluar një procedurë tjetër kundër Çedomir Aksiq dhe sugjerimi edhe i Apelit është që ky rast të bashkohet. Andaj kam një propozim që të bashkohet ky rast me rastin tjetër meqenëse janë të përfshirë edhe disa të dëmtuar tjerë”, tha prokuroja Salihu.

Salihu shtoi se sipas saj, duhet të lejohet ky propozim pasi që nëse nuk mund të trajtohen në rastin tjetër, dëmtohen një grup i madh i të dëmtuarve.

Sipas saj, nëse Gjykata nuk e aprovon këtë propozim, do të bëjë zgjerimin e aktakuzës sa i përket të dëmtuarve në këtë rast.

Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Çedomir Aksiq, avokati Ymer Berisha, në fjalën hyrëse të tij deklaroi se nuk ka vërejtje dhe se e përkrah vendimin e shkallës së dytë, i cili ktheu në rigjykim këtë çështje penale.

Berisha propozoi që Gjykata të eleminojë shkeljet procedurale duke përmbushur të gjitha kushtet ligjore për një gjykim të drejtë.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, konstatoi se lidhur me propozimin do të merret vendim jashtë seancës dhe të gjitha palët do të njoftohen me kohë, andaj seanca u ndërpre.

Ndryshe, sa i përket aktakuzës tjetër ku ngarkohet Çedomir Aksiq, bëhet fjalë për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2025, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.