Rahoveci shembull, sigurim shëndetësor për nxënësit parafillor në çerdhe
Komuna e Rahovecit e udhëhequr nga kryetari Smajl Latifi është komuna e parë në nivel vendi që ka bërë sigurimin shëndetësor për nxënësit parafillor.
Latifi ka theksuar se ky projekt është pjesë e zotimeve të programit qeverisës, me qëllim që fëmijëve t’u sigurohet mbulim i shpenzimeve eventuale shëndetësore gjatë qëndrimit në institucionet parashkollore.

“Unë e kam pas synim dhe e kam shpalos si pjesë thelbësore të programit qeverisës për këto 4 vite edhe sigurimin shëndetësor për fëmijët meqë ne nuk po arrijmë sepse nuk është edhe kompetencë e jona me realizu sigurim shëndetësor për të gjithë qytetarët sepse është kompetencë më të larta shtetërore, qeverisë, parlamentit, zbatimit të një ligji i cili ka ngelë. Ne kemi dashur që së paku fëmijëve t’iu sigurojmë dhe t’iu mbulojmë shpenzimet eventuale dhe t’i mbulojmë si komunë, kjo do të jetë së paku për 4 vite sa do të jem unë këtu”, ka thënë Latifi për IndeksOnline.
Nga ky projekt përfitojnë përafërsisht rreth 350 nxënës. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 78,000 euro, ndërsa ajo është finalizuar në shumën prej 69,600 eurosh.

Fitues i tenderit është kompania “SIGAL Insurance Group SH.A.”, shkruan IndeksOnline.
Ai ka shtuar se, ndonëse sigurimi shëndetësor i përgjithshëm mbetet kompetencë e nivelit qendror, komuna ka vendosur të ndërmarrë këtë hap për të lehtësuar barrën për prindërit dhe për të rritur sigurinë për fëmijët në çerdhe.
Sipas tij, prindërit nuk do të kenë asnjë obligim financiar shtesë, pasi të gjitha shpenzimet eventuale do të mbulohen nga komuna gjatë periudhës së kontratës.
“Prindërit që i kanë fëmijët në qerdhet publike nuk do të kenë asnjë llojë obligimi sepse ne e marrim përsipër mbulimin e shpenzimeve financiare për çfarëdo situate dhe çfarëdo rasti eventualisht që mundet me u kriju. I mbulon komuna e Rahovecit si një nga zotimet që kemi dhënë”, ka theksuar tutje ai.
Kohëzgjatja e kontratës për këtë tender është bërë për 12 muaj./IndeksOnline/

