Përfundon ndërtimi i rrethit në hyrje të Prishtinës nga drejtimi i Gjilanit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka përfunduar ndërtimi i rrethit në hyrjen e kryeqytetit nga drejtimi i Gjilanit, një projekt që sipas tij është realizuar nga Komuna e Prishtinës.
Në një postim në rrjete sociale, Rama tha se ky investim do të ndihmojë në lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e qasjes për qytetarët që hyjnë në Prishtinë nga kjo zonë.
Ai theksoi se projekti i takon nivelit qendror, pasi ndodhet në një segment të rrugës magjistrale, por sipas tij, për shkak të mungesës së realizimit nga institucionet qendrore, Komuna e Prishtinës e ka përfunduar vetë ndërhyrjen.
Rama shtoi se në ditët në vijim pritet të hapet për qarkullim edhe “Rruga A”, ndërsa paralajmëroi fillimin e punimeve për projektin e “Penetrimit të Veternikut”, që sipas tij do të ndikojë në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore në kryeqytet.

