75 Mall Live Search
17:27 / E Hënë, 29 Qershor 2026 / L A

Klubi i Premierligës hap bisedimet me Curtis Jones

Nottingham Foresti ka nisur bisedimet me Liverpoolin për të transferuar mesfushorin Curtis Jonesin, sipas raportimeve, ndërsa duket se klubi tashmë ka në mendje edhe shumën që është i gatshëm të paguajë.

Jonesi, i cili po hyn në vitin e fundit të kontratës së tij me Liverpoolin, vazhdon të lidhet fort me një largim nga klubi.

Interi ka shprehur interes për 25-vjeçarin, por oferta prej 21 milionë paundësh ishte dukshëm më e ulët se vlerësimi i Liverpoolit, i cili besohet të jetë rreth 35 milionë paund, sipas “The Times”.

Oferta e Interit erdhi pasi drejtori sportiv i klubit, Piero Ausilio, e bëri të qartë interesimin e tyre.

“Po e ndjekim me vëmendje Curtis Jones. Nuk e kemi fshehur këtë. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha ai.

Edhe Juventusi, Tottenhami dhe Aston Villa janë përmendur si klube të interesuara për Jones, por duket se Nottingham Foresti është gati të bëjë një përpjekje serioze për ta transferuar mesfushorin.

Gazetari italian Nicolo Schira raporton se Forest ka hapur bisedimet me Liverpoolin për ta transferuar lojtarin për një shumë mes 35 dhe 40 milionë paundësh.

Klubi është gjithashtu i gatshëm t’i ofrojë Jones një kontratë pesëvjeçare në “City Ground”.

Për momentin, nuk ka bisedime aktive për rinovimin e kontratës aktuale të Jones me Liverpoolin, pasi është bërë e qartë se ekziston një diferencë mes pritshmërive të lojtarit dhe asaj që klubi është i gatshëm t’i ofrojë.

Megjithatë, Liverpooli nuk ka nxitim për ta shitur Jones dhe mund të presë deri në përgatitjet para sezonit përpara se të marrë një vendim për largimin e tij, në rast se trajneri i ri, Andoni Iraola, vendos ta mbajë në skuadër.