“Kanë kërkuar një takim”/ Irani hedh poshtë deklaratën e Trump për bisedimet e paqes në Katar, Ministria e Jashtme mohon çdo deklaratë
Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se janë planifikuar bisedime me Shtetet e Bashkuara ditën e nesërme, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump.
Zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghai, tha se një delegacion iranian do të vizitojë Katarin gjatë kësaj jave, por sqaroi se vizita nuk ka lidhje me praninë e zyrtarëve amerikanë në Doha.
Sipas tij, Teherani nuk ka nisur negociata për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Uashingtonin, duke theksuar se sjellja e SHBA-së kërkon fillimisht zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit (MM), çështje që Irani e konsideron me rëndësi të veçantë.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, i cili deklaroi se gjatë kësaj jave nuk janë planifikuar takime mes “ekipeve teknike” iraniane dhe zyrtarëve amerikanë në Katar.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një takim mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit do të zhvillohej të martën në Doha, duke pretenduar se kërkesa kishte ardhur nga Teherani.
“Irani ka kërkuar një takim. Ai do të zhvillohet nesër në Doha”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

