Morina: Rrugët e hekurudhat janë prioritet, autostrada e Gjilanit pritet të përfundojë brenda vitit 2027
Kryetari i PSHDK-së, Zef Morina, ka deklaruar se Ministria e Infrastrukturës po punon çdo ditë dhe se janë identifikuar problemet e trashëguara në rrugë dhe autostrada, të cilat sipas tij pritet të zgjidhen.
Duke folur në emisionin FIVE, Morina tha se edhe autostrada “Ibrahim Rugova” dhe disa rrugë të tjera kanë pasur ngecje të vjetra, të cilat nuk lidhen vetëm me mandatet e fundit qeverisëse.
“Edhe autostrada ‘Ibrahim Rugova’ edhe rrugët tjera kanë probleme që i kemi identifikuar dhe shumë shpejt do t’i zgjidhim, në mënyrë që të mos ketë më ngecje si më parë. Këto probleme nuk janë të këtij mandati apo të mandatit të kaluar, por janë trashëguar ndër vite”, u shpreh ai.
Sa i përket autostradës së Gjilanit dhe rrugës së Dollcit, Morina tha se janë bërë analiza në terren dhe se pritet një vendim pas formimit të institucioneve të reja.
“Kemi dalë në terren, kemi bërë analizë dhe shumë shpejt, sapo të krijohen institucionet, do të dalim me një vendim për zgjidhje që rruga të përfundojë brenda vitit 2027”, theksoi ai.
Morina foli edhe për prioritetet në mandatin e ardhshëm qeverisës, duke përmendur hekurudhat si një nga pesë shtyllat kryesore të investimeve infrastrukturore.
Sipas tij, projekti për rikonstruksionin dhe modernizimin e hekurudhave synon të tërheqë fonde nga Bashkimi Evropian dhe agjenci të ndryshme ndërkombëtare.
“Një pjesë e fondeve sigurohet nga shteti, një pjesë përmes kredive të buta, ndërsa rreth 50 për qind pritet të mbulohet nga grante ndërkombëtare”, shtoi ai.

