Qeveria angleze zgjat orarin e pub-eve, shkak ndeshja mes Anglisë me Meksikën!
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pritet të lejojë pub-et në të gjithë Anglinë të qëndrojnë të hapura deri në orën 05:00 të mëngjesit për ndeshjen e Anglisë kundër Meksikës në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026.
Sipas mediave britanike, kryeministri Keir Starmer pritet të miratojë legjislacion urgjent në Parlament për të zgjatur orarin e licencimit të lokaleve, me qëllim që tifozët të kenë mundësinë ta ndjekin ndeshjen në pub-e dhe të festojnë në rast të një kualifikimi të “Tre Luanëve”, shkruan IndeksOnline.
Masa e jashtëzakonshme vjen për shkak të orarit të vonë të zhvillimit të sfidës, e cila pritet të tërheqë interes të madh në mbarë vendin. Autoritetet besojnë se zgjatja e orarit të funksionimit të pub-eve do të krijojë kushte më të sigurta dhe më të organizuara për tifozët gjatë mbrëmjes së ndeshjes.
Nëse miratohet, ky vendim do t’u mundësojë mijëra tifozëve anglezë të ndjekin përballjen vendimtare me Meksikën dhe të qëndrojnë në pub-e deri në orët e para të mëngjesit, pa kufizimet e zakonshme të licencimit./IndeksOnline/

