Lala e kritikon për jetën jashtë futbollit, Zhegrova shpërthen: “Jam këtu falë punës dhe sakrificës”
Një debat është hapur në opinionin sportiv pas komenteve të ish-futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala, për Edon Zhegrovën.
Në emisionin “TeleSport”, Lala kritikoi përkushtimin profesional të sulmuesit kosovar, duke thënë se ai duhet të fokusohet më shumë te futbolli dhe më pak te gjërat jashtë tij.
“Edon Zhegrova duhet të fokusohet te futbolli, jo te gjërat tjera jashtë futbollit. Jo më kot trajneri e ka lënë jashtë, trajneri nuk i ka hyrë në hak. Ai mund të bëjë shumë herë më mirë nga ana profesionale”, deklaroi Lala.
Ai shtoi se disa futbollistë sot i kushtojnë shumë rëndësi luksit dhe imazhit personal, shkruan Indeksonline
“Fokusimi i lojtarëve sot janë makinat, rolexët, flokët. Kur i shoh lojtarët që ulin brekët, më hanë bukën”, u shpreh Lala.
Këtyre deklaratave u është përgjigjur vetë Edon Zhegrova përmes rrjeteve sociale. Futbollisti i Juventusit tha se nuk dëshiron të merret me komentet e të tjerëve, por vendosi të reagojë këtë herë.
“Ky nuk është i rëndësishëm aspak, por po vendos pak të reagoj kësaj radhe. Ky menaxheri që i ka dëmtuar futbollistët e tij”, shkroi Zhegrova.
Ai theksoi se suksesi nuk përcaktohet nga opinionet e njerëzve në studio, por nga puna dhe sakrifica e përditshme.
“Disa njerëz jetojnë duke komentuar jetën e të tjerëve. Unë preferoj ta jetoj timen. Suksesi nuk matet nga mendimet e atyre që flasin në studio, por nga puna që bëhet çdo ditë”, u shpreh ai.

Zhegrova shtoi se rruga e tij drejt Juventusit është rezultat i punës së madhe dhe përkushtimit.
“Po të ishte ashtu siç thotë ky dhe shumë të tjerë, unë do të isha i fokusuar në gjërat e tjera dhe nuk do të isha në një klub me renome botërore si Juventusi. Jam këtu falë punës dhe sakrificës, nga Prishtina, Kosova ime. Gjithmonë krenar”, përfundoi reprezentuesi i Kosovës../Indeksonline./

