KMDLNJ numëron arsyet për të mos kërkuar mosbesim për Haradinajn
Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ka përmendur disa arsye që sipas tyre janë të mjaftueshme që të mos kërkohet mocion mosbesimi për Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj, pas zhvillimeve të fundit politike që u shënuan me largimin e Listës Serbe nga ekzekutivi.
Ky këshill ka vlerësuar se Lista Serbe që nga hyrja në qeveri vetëm se ka punuar kundër Kosovës.
Tutje, përmes një komunikate dërguar mediave, KMDLNJ kërkon nga opozita e vendit që të mos i ndihmojnë Listës Serbe në shantazhin e institucioneve të Kosovës.
“Ndonëse ka mbetur pakicë absolute ,Qeveria Haradinaj nuk duhet t’i nënshtrohet shantazhit të Listës Serbe dhe kryeministri Haradinaj nuk duhet të jep dorëheqje kurrsesi . Nëse , në rastin konkret Ramush Haradinaj do të dorëhiqej, do të krijohej një presedan i rrezikshëm me ç’rast Lista Serbe do t’i shantazhonte edhe kryeministrat e ardhshëm qoftë ai Albin Kurti , Visar Ymeri , Fatmir Limaj , Kadri Veseli , Avdullah Hoti apo të tjerë. Nënshtrimi ndaj këtij shantazhi të Lista Serbe do të krijonte një automatizëm për dorëheqje të qeverive të ardhshme dhe jofunksionalitet strategjik të Kosovës”, thuhet në një pjesë të njoftimit, përcjell KosovaPress.
Komunikata e plotë e KMDLNJ:
Pas zhvillimeve që ndodhën gjatë dhe pas arrestimit të Marko Gjuriq , shef i Zyrës së Serbisë për Kosovën , Lista Serbe , pas takimit me presidentin e Serbisë , Aleksandar Vuçiq në Beograd u tërhoq nga Qeveria e Kosovës duke e shantazhuar Qeverinë Haradinaj me rrëzimin e saj. Realisht, Lista Serbe , që nga hyrja në Qeveri vazhdimisht ka shantazhuar dhe ka punuar kundër Kosovës duke kërkuar që të formohet Asociacioni i komunave serbe në Kosovë sipas Marrëveshjes së Brukselit e jo sipas vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese.
Arrestimin e Marko Gjuriq Serbia , përmes Listes Serbe po e keqpërdor politikisht aq më parë që edhe ajo e dinë se si veprohet me ata që ilegalisht e kalojnë kufirin sikur që edhe vet Serbia ka arrestuar por edhe vrarë shqiptarë të Kosovës që ilegalisht e kanë kaluar kufirin. E kemi rastin e policëve të Kosovës që u trajtuan në mënyrën më të poshtër nga xhandarmeria serbe pasi kishin kaluar gabimisht kufirin me Serbinë. Të gjithë ata që e kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbia i ka dërguar në burgun e Prokupljes , i ka mbajtur deri në dy muaj dhe vetëm pas procedurës gjyqësore dhe pasi e kanë paguar dënimin e shqiptuar ( kryesisht me të holla ) , janë liruar.
Arrestimi i Marko Gjuriqit në Mitrovicë është provokuar nga vet Serbia duke e përdorur kundërvajtësin Gjuriq si karrem dhe ky ka qenë veprim shumë profesional i Policisë së Kosovës. Rasti Gjuriq është dashur ta marrë epilogun në stacionin policorë në Mitrovicë dhe Gjykatën në Mitrovicë kurse transportimi i tij në Prishtinë ka qenë i panevojshëm dhe nëse Policia e Kosovës në Mitrovicë ka qenë perfekte , në Prishtinë ka bërë gabime të mëdha duke e ekspozuar zotin Gjuriq një trajtimi të padinjitetshëm , degradues dhe poshtërues i cili konsiderohet si shkelje e rëndë e të drejtave të personave të privuar nga liria dhe e cila e drejtë garantohet me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut.
KMDLNj konsideron se : ” ekskursioni ” i Marko Gjuriqit në relacionin Mitrovicë – Prishtinë – Merdare nuk ka qenë as vendim e as veprim policor por një vendim politik ndërsa Policia e Kosovës e ka zbatuar këtë vendim politik. Marko Gjuriq është dashur të trajtohet sikur që trajtohen qytetarët e Kosovës që e kalojnë ilegalisht kufirin me Serbinë ; fillimisht është dashur t’i shqiptohet masa e ndalimit policor prej 48 orëve për të vazhduar me procedurat tjera.
Të gjitha partitë opozitare , me të drejtë kanë akuzuar Qeverinë Haradinaj se është peng i Listës Serbe dhe kanë kërkuar që të pamundësohet roli dhe mundësia shantazhuese e Listës Serbe.
Për këtë arsye tash duhet ta përkrahin Qeverinë Haradinaj dhe të kontribuojnë që t’i hiqet mundësia shantazhuese kësaj liste përmes faktorizimit të serbëve të Kosovës që deklarohen lojalë ndaj Kosovës dhe të cilat duan të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës , pa e kushtëzuar lojalitetin e tyre. Serbët e Kosovës janë margjinalizuar me vendime politike të disa bartësve të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë dhe tash është koha t’i trajtojmë si qytetarë të barabartë të Kosovës , me të gjitha përgjegjësitë dhe të drejtat që iu takojnë.
Mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk e ndryshon konfiguracionin politik në Kosovë , e dëmton Buxhetin e Kosovës , e ulë numrin e votuesve dhe kundërshtohet nga ndërkombëtarët . Me marrëveshje të subjekteve politike shqiptare dhe të pakicave tjera mund të caktohet një periudhë , jo më pak se 12 muaj dhe pastaj të caktohet një datë për zgjedhje.
Ndonëse ka mbetur pakicë absolute , Qeveria Haradinaj nuk duhet t’i nënshtrohet shantazhit të Listës Serbe dhe kryeministri Haradinaj nuk duhet të jep dorëheqje kurrsesi . Nëse , në rastin konkret Ramush Haradinaj do të dorëhiqej, do të krijohej një presedan i rrezikshëm me ç’rast Lista Serbe do t’i shantazhonte edhe kryeministrat e ardhshëm qoftë ai Albin Kurti , Visar Ymeri , Fatmir Limaj , Kadri Veseli , Avdullah Hoti apo të tjerë. Nënshtrimi ndaj këtij shantazhi të Lista Serbe do të krijonte një automatizëm për dorëheqje të qeverive të ardhshme dhe jofunksionalitet strategjik të Kosovës.
Partitë aktuale shqiptare dhe pakicave joserbe sikur edhe politikanët e serbëve të Kosovës që kanë dëshmuar përkushtimin e të qenit qytetarë të Kosovës duhet ta ndërtojnë një konsensus kalimtar , deri te një zgjidhje të qëndrueshme e cila do të bëhej me një bashkëpunim të pozitës dhe opozitës.
Partitë opozitare duhet të kërkojnë transparencë për bisedimet në Bruksel , t’i demonopolizojnë ato dhe të kërkojnë përgjegjësi për dështimet e deritashme. Duhet të bëhen publikë emrat e Ekipit Pregatitor për hartimin e draftit për Asociacionin e Komunave serbe duke këmbëngulur të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës . Në të kundërtën , duhet të kundërshtohet me të gjitha mjetet e mundshm .
Opozita , për arsyet e përmendura më lartë , në asnjë mënyrë nuk duhet të identifikohet me Lista Serbe duke ia bërë numrat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Çdo solidarizim me Lista Serbe e cila po manifeston aktivitet rrënues kundër Kosovës do ta thellonte krizën edhe më shumë , me pasoja të paparashikueshme. Opozita , tani e ka rastin ta luaj rolin konstruktiv që edhe i takon duke e përkrahur Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Haradinaj për një afat të caktuar dhe në këtë mënyrë do të kontribuonte vendosmërisht për defaktorizimin e Listës Serbe dhe ndikimit të Serbisë në Kosovë.
KMDLNj kërkon që të përkrahet Policia e Kosovës për intervenim në Mitrovicë sikur që të caktohet edhe përgjegjësia për trajtim degradues dhe poshtërues të Marko Gjuriqit në Prishtinë dhe , në këtë kontekst e vlerëson si të kundërligjshëm bërjen publike të emrave të policëve dhe policeve që kanë marrë pjesë në arrestimin e Marko Gjuriq sepse paraqet shkelje të privatësisë , e rrezikon jetën e tyre , i bënë shënjestra të lehta për veprim ndaj tyre sikur që i demotivon në punën e tyre.