Lansohet doracaki se si të raportohet për rastet e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit
Grupet terroriste shpeshherë kanë përdorur mediat për shpërndarjen e mesazhit që për qëllim kryesor kishin inspirimin e njerëzve për t’iu bashkuar këtyre organizatave në përgjithësi.
Këto janë disa të gjetura të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të cilët sot edhe lansuan një doracak me udhëzime se si të raportohet nga mediat për rastet e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Me anë të këtij doracaku, mediat mund të kuptojnë më saktësisht për kuptimin e terminologjive religjioze që përdoren nga organizatat e ekstremizmit të dhunshëm, raporton Indeksonline.
Përfaqësuesi nga QKSS, Skender Perteshi ka thënë se ata janë munduar të ndërtojnë një standard ose përmbledhje të një dokumentit, ku mediat të cilat merret me çështjen e ekstremizmit të dhunshëm, të kenë një dokument bazik se si të raportohet dhe të kuptohet më saktë terminologjitë që përdoren për raportim.
Kështu, ai ka treguar shkurtimisht edhe disa nga terminologjitë që janë të cekur në këtë doracak, se si ato janë përdor nga i ashtuquajtur ISIS, dhe çfarë kuptimi kanë ato realisht për fenë.
“Raporti/doracaku është 30 faqe dhe i trajton afërsisht 50 terminologji kryesore. Janë monitoruar aktivitetet e organizatave terroriste se si e kanë shpërndarë mesazhin, si kanë tentuar të komunikojnë me individët që e kanë përqafuar atë ideologji dhe jemi munduar të njëjtat terme, fjalë dhe të njëjtin diskurs që kanë përdorur me i identifikuar dhe t’i interpretojmë në aspektin religjioz, po ashtu të tentojmë të përçojmë një kundër-mesazh rreth mënyrës se si e kanë raportuar. Për shembull është fjala xhihad që është përdorur shumë, ku përmes kësaj fjale i ashtuquajturi ISIS është munduar të legjitimojë kauzën e vet fallso që e ka pasur për krijimin e një shteti islamik. Fjala xhihad në aspektin religjioz është shumë e rëndësishme për ta, mirëpo ISIS e ka keqinterpretuar këtë fjalë dhe e ka interpretuar në mënyrën e vet. Ne kemi tentuar të tregojmë se çfarë nënkupton kjo fjalë, mënyrë se si ISIS e ka interpretuar atë dhe mënyra se si mediat”, ka thënë Perteshi.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe shefi i sektorit për diplomaci dhe marrëdhënie me publikun nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Richard Mei. Sipas tij, media dhe shoqëria civile kanë nevojë për bashkëpunim në mënyrë që ta luftojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe për ta parandaluar atë.
“Media dhe shoqëria civile kanë nevojë të ndihmojnë njëra tjetrën që ta mbajnë qeverinë llogaridhënies, jo vetëm për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm por edhe për ta parandaluar atë. Prandaj është inkurajuese që po shoh sot praninë e shumë mediave dhe organizatave tjera, sepse ky mesazh që ka të bëj me ekstremizmin e dhunshëm që është ballafaqim i të gjitha komuniteteve. Jam i lumtur që jeni këtu për të punuar së bashku për këtë çështje”, është shprehur ai.
Nga Kuvendi i Kosovës, ishte edhe deputeti Rexhep Selimi, i cili njëkohësisht është edhe anëtarë në Komisonin për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Ai përgëzoi punën për këtë doracak ,duke thënë se kjo do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë, duke shtuar se ky duhet të jetë një hap i rëndësishëm për qëllimet e së ardhmes.
“Zhvillimi dhe teknologjia është i madhe sa i përket mediave dhe është vështirë të mbahet në kontroll Shpresoj që ta ndihmojë këtë. Duke qenë në natyrën e ngjashme, edhe mediat edhe institucionet kanë qenë nën presion kur bëhet fjalë për një çështje të tillë. Këtë doracak nuk po e kuptoj tash që i shpëtuam mediat, por ky është një hap i vogël por shumë i rëndësishëm në drejtim të qëllimit që duhet të kemi së bashku”, është shprehur Selimi.
Ndryshe, QKSS ka rekomanduar që termi “xhihad”, apo terme të tjera të cilat grupet e ekstremizmit të dhunshëm i përdorin për qëllime të veta, të përdoren shumë pak ose fare. Në rast se ato përdoren, është mirë të tregohet argumenti i saktë se çfarë nënkuptohet me të.
“Të përdoret shumë pak ose fare, por edhe në momentin që përdoret të tregohet argumenti i saktë se çfarë nënkuptohet me të. Për shembull, në asketin religjioz, fjala xhihad ka shumë kuptime, ndërsa ISIS mënyra se si e ka përdorur është luftë defanzive dhe nuk i ka zbatuar asnjë kriter që parashihet në religjion. Ky udhëzues nuk do të thotë të ndikojë në media se nuk është bërë punë e mirë, por qëllimi është të bëhet një standard dhe të ngritët mënyra e raportimit të këtyre rasteve, të ulet impakti i grupeve terroriste dhe të ulet impakti i tyre në përhapjen e propagandës së tyre”, është thënë më tutje./Indeksonline/