Mediumi nga Shqipëria e quan “Buzëqumësht” Herolind Shalën: Ke harruar se ke lindur në Norvegji! (Foto)
Një nga mediumet më të mëdha në Shqipëri “Albeu.com” ka dal kundër futbollistit të Kosovës, Herolind Shala.
Kosova mposhti me rezultat të thellë 3 me 0 Kombëtaren e Shqipërisë, në miqësore, shkruan IndeksOnline.
Pas ndeshjes, ishte Herolind Shala, mesfushori kosovar që “shpërtheu” duke bërë një status kundër Shqipërisë.
“Na nënçmuat? Në rregull ne flasim vetëm në fushë”, shkruhej në një pjesë të postimit të bërë nga Shala.
Menjëherë pas kësaj, mediumi shqiptar ia përkujton kosovarit vendin se ku ka lindur.
“Mesa duket Herlindi nga “mllefi” që donte të shfrynte, ka harruar se ku është vendlindja e tij, pasi ai ka lindur në qytetin e Posgrun, në Norvegji”, shkruhet në portalin shqiptar.
Përveç kësaj, në rrjetet sociale, “Albeu Sport” ka shpërndarë një foto ku shihet Lorik Cana (i quajtur legjendë) dhe Herolind Shala (i quajtur buzëqumështi).
“Herolind Shala ke shumë nevojë të marrësh leksione nga Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj”, shkruhet në postimin e bërë.
Kujtojmë që Shala ishte pjesë e Shqipërisë U21 dhe Kombëtares A, deri në vitin 2016./IndeksOnline/