PDK-VV përplasen për agjendën evropiane
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme kanë shqyrtuar dhe miratuar një mori projektligjesh dhe raportesh të agjencive të pavarura.
Ligjvënësit gjatë shqyrtimi të raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017, kanë pasur kritika të shumta, ndonëse pas debatit ky raport mori mbështetjen e deputetëve me 59 vota për, 11 kundër dhe 6 abstenime.Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ani pse ka mbështetur raportin e AKK-së, ka shprehur shqetësimin rreth mos deklarimit të pasurisë nga zyrtarë të lartë të qeverisë. Kritika të shumta ndaj raporti ka pasur deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës në këtë raport nuk është evidentuar asnjë rast i zyrtarëve të lartë që janë dënuar me burg për raste të korrupsionit.
Përplasje në këtë pikë pati mes deputetit të PDK-së Hajdar Beqa dhe atij të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.
Deputeti Beqa, kërkoj anashkalimin e interpelancave të shumta që po thirrën nga opozita në mënyrë që t’i kryejnë prioritetet për agjendën evropiane. Por, deputeti Rexhaj tha se nëse dikush është kundër agjendës evropiane, atëherë është kjo qeveri. Beqa, iu kundërpërgjigj Rexhajt, duke ia përmendur jahtet dhe aferat e fundit të përgjimeve mes zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe gazin lotsjellës.
Mirëpo, deputeti i Vetëvendosjes, duka ia kthyer kolegut të tij nga PDK, tha se partia e tij tenton që t’i barazojë të gjithë dhe t’i bënë sikurse është vetë.
Në këtë seancë, u shqyrtua në lexim të parë edhe Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Pas pauzës deputetët votuan projektligjet që janë shqyrtuar paradite dhe gjatë ditës së djeshme. Deputetët me shumicë votash kanë miratuar Projekt-Kodin Penal të Kosovës, pas debatit të zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Po ashtu janë miratuar edhe një mori projektligjesh tjera që ndërlidhen me harmonizimin me ligjet e BE-së.