Partia FJALA distancohet nga deklarata e ish kandidatit të tyre për Malishevën
Partia FJALA është distancuar nga deklarata e hoxhës Bedri Bytyçit, lidhur me vdekjen e Hilmi Haradinajt, babit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Përmes një komunikate për media, ata kanë cilësuar se një deklaratë e tillë e ish kandidatit të tyre për Komunë të Malishevës, është e ngutshme dhe jo e duhur, madje nuk përkon me frymën e subjektit të tyre politik, transmeton Indeksonline.
Kjo është deklarata e tyre:
Ne FJALA distancohemi nga deklarata e Bedri Bytyçit lidhur me vdekjen e Hilmi Haradinajt, babait të Kryeministrit të Kosovës.
Ne cilësojmë se një deklaratë e tillë ka qenë e ngutshme dhe jo e duhur.
Deklarata e tillë nuk përkon me frymën e subjektit tonë politik.
Ne respektojmë çdo qytetar të Republikës Kosovës, e në veçanti Hilmi Haradinajn i cili ka rritur dhe edukuar dëshmorët Shkelzen e Luan Haradinaj.
Ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta Kryeministrit Haradinaj, familjes Haradinaj dhe gjithë qytetarëve të Republikës Kosovës.
FJALA,
Prishtinë, 17.06.2018