Zëvendësministri i Brendshëm për aksidentet në trafik: Secili qytetar duhet të jetë polic për vete
Policia e Kosovës ka themeluar një “Task Forcë” për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se kjo është bërë me qëllim që të eliminohen rastet e aksidenteve dhe rrjedhimisht edhe vdekjet në trafik.
“Krahasuar me vitin e kaluar janë 1300 aksidente më pak. Kosova nuk është vend që ka probleme të mëdha me aksidente”, ka thënë Zeka për Klan Kosova.
“Policia e Kosovës ka mekanizma të ndryshëm dhe trafiku është pjesë e veçantë, por tash një pjesë e madhe e policisë do të jetë ndihmesë në trafik”.
“Trafiku po e kryen punën profesionale, por edhe qytetarët duhet të kenë kujdes”.
“Secili duhet të jetë polic për vete”.
Zeka ka theksuar se nëse respektohen rregullat nuk do të ketë aksidente dhe vdekje.
“Nëse respektohen rregullat, mundësitë për të pasur aksidente janë shumë të vogla”, ka thënë ai ndër të tjera.
Për periudhën janar 2018 – 15 korrik 2018 janë regjistruar 59 viktima si pasojë e aksidenteve.