23:45 / E Hënë, 03 Shtator 2018 / indeksADMonline

Banorët e Orllanit me peticion kundër vendimit të MMPH-së

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në bashkëpunim me Inspektoratin e MMPH-së para disa ditësh kishin marrë vendim për rrënimin e objekteve pa leje në zonën e liqenit të Batllavës, në rast se subjektet e ndërtimit nuk i largojnë ato në afat prej 7 ditësh.

Lidhur me këtë, pas kalimit të afatit të dhënë nga dikasteri përkatës, tani banorët e fshatit Orllan të Komunës së Podujevës kanë njoftuar se do të nisin nënshkrimet për peticion kundër vendimit të Ministrisë, sipas tyre, i pa drejtë, shkruan Indeksonline.

Më poshtë keni fotografinë ku mund të nënshkruajnë banorët  e Orllanit.

Ndryshe, sipas njoftimit më herët, vendimi në fjalë është marrë pas inspektimeve në terren nga Inspektorati i MMPH-së, të cilët kanë konstatuar se subjektet që kanë ndërtuar pa leje në zonën e liqenit të Batllavës nuk i janë përmbajtur vendimit të vitit 2017 për largimin e tyre.

Ndërkohë, që këto vendime janë bazuar në Ligjin Nr. 04/L-147 për Ujërat në Kosovë, Ligjin Nr. 04/L-175 për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, Udhëzimin Administrativ të MMPH-15/2017, si dhe Vendimit të Qeverisë me Nr. 17/127, të datë 24.04.2013, për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor sipërfaqësor – Akumulacioni i Batllavës./Indeksonline/