KEK-u rishpall për herë të tretë konkursin për Drejtor Menaxhues
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka rishpallur për herë të tretë konkursin për Drejtor Menaxhues të kësaj korporate.
Për pozitën e Drejtorit Menaxhues kërkohet që kandidati të ketë së paku 5 vjet përvojë në nivel të menaxhmentit të lartë. Po ashtu kërkohet që të ketë diplomë universitare në lëminë e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë apo juridik.
“Preferohen individët me përvojë pune në ndërmarrjet tjera me madhësi dhe kompleksitet të lartë”, thuhet në konkursin e rishpallur për Drejtor Menaxhues.
Konkursi i tretë për të zgjedhur Drejtorin Menaxhues të KEK është hapur më 9 gusht dhe do të jetë i hapur deri më 10 shtator 2018.
Ky konkurs do të zhvillohet me asistencën e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, kurse BIRN do të bëjë monitorimin e këtij procesi të rekrutimit. Përzgjedhja e kandidatëve që kalojnë fazën e parë bëhet në bashkëpunim me ekspertet e rekrutimit të partnerit të angazhuar nga Ambasada Britanike.
Gjatë fazës së intervistimit, komisionit i formuar nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut dhe komisioni i partnerit të Ambasadës bëjnë vlerësime të ndara për secilin kandidatë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar se do të kujdeset që rekomandimet e partnerëve britanik të zbatohen dhe nëpër pozita të larta të emërohen persona më meritor./Indeksonline/.