Gani Dreshaj publikon foto nga lufta, ka një mesazh për listat e veteranëve
Deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj ishte një nga kontribuesit e luftës në rajonin e Istogut. Dreshaj kishte ndihmuar UÇK-në me mjete të ndryshme në luftë, por që asnjëherë nuk i kishte përmendur këto fakte.
Me një postim në Facebook, deputeti nga Vrella ka thënë se nuk duhet që lufta çirimtare të njolloset, ende pa u mbyllur plagët e luftës.
“Fotografitë që më kujtojnë kohen e luftës dhe angazhimin tim i mbaj vetëm si kujtim.
Për fat të mirë nuk kam pranuar pagesën e veteranit, sepse kushtet financiare i kam stabile dhe nuk e kam parë të arsyeshme ta gëzojë atë.
Por, kontributin e familjes tonë në luftë nuk do të pranoj ta njollos askush. Sigurimin e miellit, armëve, kuajve për bartje të armëve, dhe shumë angazhimeve të tjera në ditët e vështira të luftës nuk dua t’i njollos asnjë lloj liste.
E pashë me keqardhje emrin në listë të vëllaut tim, Xhevdetit, një i ri që guxonte e bënte shumë për atdheun në luftë.
Nuk bën të njolloset lufta çlirimtare, ende pa u mbyllur shumë plagë të asaj kohe.
Ata që rrejshëm janë futur në lista, është koha që të vetëdenoncohen, ose të krijohet një amnesti që i liron nga çdo vepër penale për të lënë këtë temë prapa sepse kemi edhe shumë punë më të rëndësishme për të bërë” ka thënë Dreshaj./Indeksonline/