75 Mall Live Search
17:46 / E Premte, 12 Tetor 2018 / indeksADMonline

MAPL: Buxheti i miratuar nga KK i Malishevës në kundërshtim me ligjin

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përmes një shkrese të dërguar sot në Komunën e Malishevës, në adresë të Kryetarit të Komunës, Ragip Begaj dhe kryesuesit të Kuvendit të Komunës të Malishevës, Rrahim Morina, ka konstatuar se Projekt buxheti komunal, i miratuar nga Kuvendi i Komunës së Malishevës, është në kundërshtim me dispozitën e Ligjit nr.03/L-048, për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

“MAPL konstaton se në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Malishevës, të mbajtur me datën 28.09.2018, ka pasur shkelje procedurale të dispozitave ligjore të nenit 61 të ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, thuhet mes tjerash në konstatimet e Departamentit Ligjor të MAPL-së, transmeton Indeksonline.

MAPL kërkon nga Kuvendi i Komunës/Kryetari i Komunës që të ndërmarr veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizoj me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditëve nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit.

Shkresa ligjore e MAPL-së, mbanë datën 12.10.2018 me numër të protokollit 020-1138/3./Indeksonline/