Shtyhet për ditën e nesërme votimi i rezolutës së LDK-së për dialogun
Është shtyrë votimi për rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së, lidhur me dialogun me Serbinë.
Në Kuvend është vendosur që votimi për këtë rezolutë të bëhet nesër.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi nga i pari i Kuvendit që të mos votohet sot rezolutë e propozuar por që të futet nesër si pikë e parë e rendit të ditës.
Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me vetëm një pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi dhe tema e korrigjimit të kufijve.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar rezolutën e kësaj partie që t’ia ndalojë secilit të flasë me shtetin serb për çështjen e kufijve, transmeton Indeksonline.
Seanca e jashtëzakonshme që u zhvillua sot u karakterizua me përplasje, mospajtime si dhe debate të gjata në mes deputetëve lidhur me këtë temë dhe jo vetëm./Indeksonline/