Blerim Kuçi i AAK-së e quan demagog Avdullah Hotin
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi e ka quajtur demagog shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, i cili ka iniciuar seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për dëshmimin e liberalizimit të vizave.
Sipas Kuçit, problemi i mos liberalizimit të vizave nuk qëndron te kriteret e paplotësuara dhe qeverisja që është bërë në Kosovë, por sipas tij ka shantazhe të drejtpërdrejta që nuk po ndodhë liberalizimi.
Ai tha se çdo qeverisje, si e Hashim Thaçit, si e Isa Mustafës, kanë qenë më të mira se ato të Serbisë dhe Maqedonisë të cilat e kanë fituar liberalizimin e vizave shumë kohë më parë.
Kuçi ia përmendi Hotit edhe “falsifikimin” e nënshkrimeve të deputetëve Deda e Kusari-Lila.
E menjëhershme ka qenë replika e Hotit i cili i kërkoi Kuçit të përmbahet nga fjalori dhe i ka sqaruar atij se kanë qenë 40 nënshkrime që janë dorëzuar për seancë të jashtëzakonshme dhe se dy nënshkrimet e vendosura, ai i Ilir Dedës dhe deputetes Mimoza Kusari, kanë qenë lëshime teknike./Indeksonline/