75 Mall Live Search
22:24 / E Hënë, 24 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Koha kur Albin Kurti i lavdëronte protestat e Vetëvendosjes e i përqeshte ato të AAK-së

Përçarjet që së fundi po dalin në pah ndërmjet PSD-së dhe Vetëvendosjes, kulmuan sot me publikimin e një videoje të plotë nga Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së në vitin 2016.

Një gjë të tillë e bëri tash deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi pas debateve të shumta me anëtarët e VV-së, që dikur ishin së bashku.

Në vitin 2016 kur Vetëvendosje ishte e bashkuar me AAK-në dhe Nismën, kishin zgjedhur protestat si mjet për të kundërshtuar Demarkacionin dhe Asociacionin.

Një proteste nga këto tri parti ishte mbajtur pikërisht në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.

Protestën e 17 shkurtit që përfundoi e qetë, Albin Kurti në Mbledhjen e Këshillit të VV-së e cilësoi si karneval.

Madje thotë se nuk ishte as masive.

“Me datë 17 shkurt ka ndodhur një zhvendosje prej protestës kah karnevali, me këtë lloj kahje ku ambasadat e huaja e thojnë ndonjë fjalë se e vlerësojmë protestën si të qetë, por jo për masivitet dhe në ndërkohë nuk e kritikon qeverinë për deklaratat e dhëna. Kishte njëfarë zhvendosje prej protestës kah karnevali”, deklaroi fillimisht lideri i VV-së.

Disa ditë më vonë, AAK-ja dhe Nisma, pa Vetëvendosjen zgjodhën 14 majin si datë për të protestuar.

E pak ditë para se kjo të mbahej, Albin Kurti e cilësonte këtë protest si funeral. E paralajmëronte se VV-ja do të obligohej të thërriste protesta tjera.
“Dhe nëse mbahet kjo protesta e 14 majit po druaj se do të ndodhë kjo zhvendosja prej karnevalit kah funeral. Pra njëfarë lloj funerali që organizohet protestës si mjet. E mandej pas asaj do të na duhet të thërrasim protesta vetë”, deklaronte Albin Kurti.

“Nuk po e kom gajle çka po i ndodhë AAK-së apo Nismës. Kam hall çka po i ndodhë protestës si të tillë”, thoshte ai.

Deklaratën e Albin Kurtit ku flet për këto protesta mund ta shikoni në videon më poshtë, pas minutës së 8-të. /Insajderi.com