Lenjani: Në Kosovë, për t’i mbushur bateritë
Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjanin në një emision në RTK, ka folur për sukseset e tij gjatë vitit që është në ikje.
Lenjani, i cili aktualisht është pjesë e klubit zviceran, Sion, këtyre ditëve po qëndron për pushim në Kosovë.
Ai thotë se ndihet shumë mirë në vendlindjen e tij. Lenjanin thekson se kur vjen në Kosovë mbush bateritë për sfidat e reja.
“Deri tash shumë mirë në Kosovë. Kam pushuar këtyre ditëve në Prishtinë, por edhe në Kamenicë. Normalisht dhe i pash krejt të familjes dhe kur po kthehem atje ndihem shumë më mirë”, tha Lenjani.
Ai këtë sezon është rikthyer pas aventurës në Francë. Lenjanin thotë se fillimi i këtij sezoni nuk ishte i mirë me Sionin, por sipas tij, ndërrimi i trajnerit solli edhe formën dhe rezultatet e mira.
“Në fillim kisha një problem të vogël, kishim një trajner zviceran nuk kishim suksese, më pas erdh turku Murak Jakin dhe tani po na ec shumë mirë. E kam ndërruar pozicionin dhe tani jam sulmues. Krejt shqiptarët kanë merak më dhënë gola”, theksoi ai.
Bashkë me Lenjanin në skuadrën e Sionit luajnë edhe tre shqiptarët tjerë, Pajtim Kasami dhe Burim Kukeli dhe Bastian Toma. Lenjanin thotë se është i lumtur që Ligën e Zvicrës luajnë 20-25 shqiptarë. Ai thekson se ndihet i lumtur që është rikthyer në Ligën e Zvicrës.
“Rreth 20+25 janë lojtarë shqiptarë në Ligën e Zvicrës, dhe më se shumti ka në Zurich. Kur kemi kohë të lirë dalim dhe rrimë bashkë ne lojtarët shqiptare, por nuk po kemi shumë kohë”.
“Jam me rehat, kam familjen dhe shokët afër. Në Francë ishte më ndryshe dhe normal se në Zvicër ndihem më mirë dhe e njoh mirë Ligën e Zvicrës”, pohoi ai.
Lenjanin ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare. Ai pjesë e kuqezinjve është që pesë vite. Lenjanin e pranon se rezultatet e Shqipërisë në Ligën e Kombeve nuk ishin të mira.
“Është viti i pestë në Kombëtaren shqiptare. Lojërat e fundit nuk kishim suksese siç kishim me De Biasin, tash trajneri i ri Panuci ka filozofinë e re. Me Panuccin kam luajtur shumë pak dhe në Ligën e Kombeve nuk kam luajtur hiq. Po duhet më prit dhe duhet të kemi durim”, tha ai.
Lenjanin ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës. Ai thotë se ndihet shumë i lumtur me rezultatet që kanë arritur “Dardanët”.
“I kam përcjell ndeshjet e Kosovës. Është ndjenjë shumë e mirë kur luan Kosova dhe i njoh shumë lojtarë dhe është kënaqësi mi pa lojtarët dhe shumë po më pëlqen dhe momentalisht nuk ka më mirë”, theksoi Lenjanin.
Ai ka shtuar se dëshiron të qëndrojë tek Sioni edhe për disa sezone.
“Më Sionin kam kontratë deri në verën që vjen, por kemi biseduar me klubin dhe duam të vazhdojmë”, përfundoi Lenjani.