Selimi flet për Zahir Pajazitin: Lufta do kishte dimensione të tjera po të ishte ende gjallë ai
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur për heroin Zahir Pajaziti, në prag të 22 vjetorit të rënies së tij, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës.
Në një intervistë për Radio Televizionin Publik të Kosovës (RTK), ai ka treguar kohën kur është takuar për herë të parë me heroin Zahir Pajaziti dhe po ashtu edhe herën e fundit kur e kishte parë atë, transmeton Indeksonline.
Sipas tij, UÇK ka humbur shumë që nuk e kishte Zahir Pajazitin pas vitit 1997. Sipas tij, lufta do të kishte dimensione krejt tjera, sidomos në zonën rreth kryeqytetit nëse do ishte ende Pajaziti.
“Gjatë kohës së luftës me secilin që jemi njohur jemi lidhur në një mënyrë të veçantë. Me Zahir Pajazitin jemi lidhur me shokët nga jashtë, dhe për këtë ka dhënë kontribut edhe Nait Hasani. Në atë kohë mbledhjet e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, apo organizimet e ndryshme i kemi bërë nëpër banesa. Ka qenë një banesë e Nait Hasanit në atë kohë në Bregun e Diellit që jemi takuar. Takimet e shtabit i kemi mbajtur edhe në një banesë e cila gjendej afër qendrës së qytetit, te ish “Sllovenia e Sportit” dhe në banesat tona si studentë që kemi qenë e i kemi pasur. Kemi arritur të kamuflohemi shumë mirë si studentë që kemi qenë, pra gjithë ato banesa që i kemi pasur në atë kohë kemi arritur t’i kthejmë në bazat e para të UÇK-së.
Mes oranizatorëve të UÇK-së dhe pjesëmarrësve kanë ekzistuar disa lidhje të besueshmërisë, dhe njëra ndër lidhjet kanë qenë lidhjet familjare, si psh familja Geci me familjen Jashari, familja ime me familjen e Mujë Krasniqit etj.

Pastaj kanë qenë edhe një lloj lidhje pas organizimeve të ndryshme. UÇK nuk ka filluar nga ajo ditë, gjithë ajo përvojë e mëhershme, e organizimeve të ndryshme kanë shërbyer që ne të marrim atë përvojë dhe normalisht që ka ardhur një moment të përdorim këtë formë. Pra ka pasur lidhje me prejardhje të ndryshme, dhe madje në saje të kësaj besueshmëri ne kemi arritur që për 3 vite me radhë të funksionojmë si strukturë si ndër më të përsosurat në atë kohë,pra ka ekzistuar vullneti dhe metodat tjera.
Tre vite kemi funksionuar pa u zbuluar. Nuk mund ta dimë se nga kush jemi zbuluar. Nuk vë gisht nga dikush, sepse aktivitetet e shumta, ndoshta edhe mungesa e përvojës por edhe mekanizmi shumë i madh i organizimeve bëjnë që të bëhen edhe gabime.
Nuk bëj me gisht nga dikush për ndonjë të arrestuar apo të vrarë në atë kohë, por ka pasur mundësi të tilla që të zbulohemi, por tre vite kemi funksionuar dhe nuk jemi zbuluar.
Në tetor të vitit 1996 kanë tentuar të më arrestojnë, por ja kam arritur fatmirësisht të shpëtojë.
Zahiri ka qenë në sy në atë kohë.Me aq sa kemi pasur qasje në dokumenta në lidhje me vrasjen e Zahir Pajazitit, nuk ka pasur urdhër-arrest për Zahirin, por ka pasur urdhër ekzekutimi për të. Të gjitha të dhënat paraparake që i kanë pasur ata për Zahirin e kanë ditur se ai nuk dorëzohet në duar të tyre.
Kanë dalë në pritë për ta vrarë, sepse e kanë ditur me këndë kanë të bëjnë.
Gjatë asaj kohe kemi komunikuar me teknologjinë e asaj kohe që ka qenë, ka pasur rrezikun e vet por i kemi përdorur si teknologji e komunikimit, dhe kemi arritur të koordinohemi kemi bërë porosia të ndryshme. Kemi koordinuara aksione të përbashkëta. Ka pasur raste kur kemi vepruar jo të gjithë në një vend, por jemi ndarë në dyshe.
Për shembull unë kam qenë në veprim me Adem Jasharin në Mitrovicë, në të njëjtën kohë i kam dërguar porosi të veprojnë në Llap dhe në të njëjtën kohë kemi vepruar në dy aksione.
Ka pasur raste të tjera kur kam qenë në Prishtinë, dhe Zahiri e ka ditur ku jam duke vepruar dhe e kam pasur një mbrojtje kështu nga njerëz të tjerë pa dijeninë time”, ka thënë ai.

Më tej ai ka treguar edhe kohën kur është takuar për herë të fundit me Zahir Pajazitin.
“Kohën e fundit kur jam takuar me Zahir Pajazitin, ka qenë duke lëvizur gjysmë legal.
Kam qenë në atë kohë në mbledhjen e fundit të shtabit të përgjithshëm, para Vitit të Ri 1997.
Kam arritur pas mbledhjes dhe kam qëndruar në bazë të Zahir Pajazitit, në lagjen “Top Hane”.
Aty e kam njohur dhe kam diskutuar edhe më shumë me Zahir Pajazitin. Aty kam parë se sa është i gatshëm të veprojë. E ka pasur strategjinë nëse arrestohet të mos bie në duar të kundërshtarëve, pra ka pasur ide për të gjitha rastet e mundshme se si të mos arrestohet.
Një ditë theu rregullat dhe deshi të dal në qytet. Kur e pash që u përgatit me dalë në qytet i thash ku po shkon dhe i thash a po të duket vetja më trim a? Dhe shkova edhe unë me të, shkuam në një çajtore, aty edhe dikush ia përmendi emrin Zahir dhe e kuptova se ai ishte Zahiri. U ndamë në atë mbrëmje dhe unë u ktheva në Prekaz. Pas takimit në shtabin e përgjithshëm kishim lënë të shkonim bashkë në Prekaz. Kjo ishte kërkesë e tij për t’i stërvitur ushtarët e rinj. Kam përshtypjen që kam takuar edhe Hakifin në atë kafiq.
UCK ka humbur që nuk e kishte Zahir Pajazitin në vitin 1997, do të kishte dimensione të tjera rreth zonës së kryeqytetit, nëse do të ishte Zahir Pajaziti”, ka thënë Selimi./Indeksonline/