Eliminimi nga Kupa e Italisë, Spalleti analizon humbjen
Interi, pas një ndeshjeje “të pafundme”, i jep lamtumirën Kupës së Italisë. Në çerekfinalen e “San Siro”-s fiton Lazio, që në fazën tjetër do të përballet me Milanin. Në përfundim të ndeshjes, Luciano Spaleti, që tani sheh gjithmonë e më pranë “hijen” e Antonio Contes (pavarësisht mohimeve nga ambienti zikaltër), analizoi humbjen për mikrofonat e “Rai Sport”: “Pas një starti të ngadaltë, ndeshja nisi të gjallërohej dhe bëmë gjithmonë maksimumin. Ndoshta sulmuam me shumë vrull: një manovër që me Lazion nuk funksionon.
PARAQITJA – “Çfarë i mungoi Interit?”, vijoi analiza. “Me pesë mbrojtës, nëse lëviz gjithmonë nga njëri krah, nuk arrin kurrë të shfaqesh i rrezikshëm: me qarkullimin dhe cilësinë arrin të gjesh hapësira. Sot (dje) shkoi kështu, patëm edhe ne shanset tona. Ndeshja pati ekuilibër total, nuk di të them nëse mund të bëhej diçka më shumë”. Gjatë ndeshjes, zikaltrit kërkuan më shumë se një penallti, së pari ajo ndaj Milan Skriniarit: “Nëse një lojtar godet me grusht një tjetër, është 11- metërsh… Për mendimin tim, pati faull në zonë edhe te ndërhyrja ndaj Icardit”.
NAINGOLAN, PERISIÇ DHE SOARES – Veçmas, trajneri u ndal te situata e Naingolanit dhe Perisiçit, duke u ndalur më gjatë te kroati: “Të dy duhen rikuperuar. Radja ka pasur një seri dëmtimesh: duhet të luajë, të kalojë më shumë minuta në fushë. Në këto nivele, kur luhet për rezultate të mëdha, impakti emotiv luan një rol të madh. Me Ivanin, tani që u mbyll merkatoja, duhen ricaktuar rolet dhe detyrat e një profesionisti. Nuk di të komentoj nëse bëmë keq apo mirë që qarkulluam zërat e largimit, por pati një ofertë të rëndësishme dhe tha që ishte i gatshëm.
Kur kuptoi se nuk ishte kështu, u tërhoq prapa; në atë moment, megjithatë, ‘dëmi’ ishte bërë: u krijoi tension, tani do rinisë të stërvitet dhe kur të jetë gati psikologjikisht do luajë përsëri”. Pas rezultateve negative, nevojitet kthesa: “Tani do na duhej një fitore, nuk mund të themi një seri sepse duhet të ecim hap pas hapi”. Në fund, një koment për të ardhurin e fundit, Sedrik Soares: “Përdor mirë të dyja këmbët, ka frekuencë në vrapim, është gati si në fazën mbrojtëse, po ashtu edhe sulmuese: një lojtar me karakter që mund të mbulojë rolin që dëshironim”, përfundoi Spalleti.