75 Mall Live Search
20:37 / E Martë, 05 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Ismaili kërkon suspendimin e mjekut nga Prizreni që ofendoi pacienten me dhimbje

Indeksonline raportoi sonte për gjuhën e rëndë të mjekut nga Spitali i Prizrenit, ndaj një paciente, e cila ishte shtrirë në spital nga ‘zorra qorre’.

Kirurgu Rrahim Ymeri në një audio dëgjohet duke fyer pacienten e cila po rënkonte nga dhimbjet, derisa në një moment e quan edhe majmun.

Ndaj këtij rasti ka reaguar Shërbimi Spitalor i Klinikes Universitare të Kosovës (SHSKUK), duke kërkuar sanksionimin e mjekut që fyeu pacienten.

Reagimi për këtë ngjarje erdhi edhe nga ministri i Shëndetësi, Uran Ismaili, i cili ka bërë thirrje te SHSKUK-ja për suspendimin e mjekut i cili ofendoi rëndë pacienten në Prizren.

Ismaili ka thënë se gjuha e tillë është e papranueshme dhe se pacientët duhet të mbrohen nga sjelljet e tilla të cilat fyejnë edhe vet profesionin e mjekut.

“Gjuha e tillë e përdorur nga kirurgu në Siptalin e Prizrenit ndaj pacientes në dhimbje është e papranueshme. Kjo thyen besimin e qytetarëve dhe i hedhë hije të keqe tërë sistemit shëndetësor. Pacienti dhe sistemi shëndetësor duhet të mbrohet nga të gjithë që e keqpërdorin besimin tonë, fyejnë pacientin dhe vet profesionin e mjekut. Merrni masa sonte. Nesër është vonë”, ka shkruar ministri Ismaili.