Ekskluzive: FC Prishtina ka shpenzuar 900.000 euro në vitin 2018
Që nga viti 2016 kur Kosova është bërë anëtare e UEFA-së dhe FIFA-së, ekipet e futbollit kanë filluar të kenë të ardhura më të mëdha financiare, megjithatë vetëm një numër i vogël i tyre kanë përfituar deri tani, fituesi i kampionatit dhe i Digitalb Kupës.
Në të njejtën periudhë janë rritur edhe shpenzimet, ngaqë përveç se janë rritur rrogat e futbollistëve, ka pasur edhe kosto tjera shtesë sidomos të udhëtimet nëpër Evropë për ekipet që kanë garuar në kualifikime.
Indeksonline, ka kontaktuar me drejtorin financiar të Prishtinës, Sokol Krasniqin i cili ka thënë se në vitin 2018 skuadra nga kryeqyteti ka pasur rreth 900.000 euro shpenzime.
“Shuma totale nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018 e të dalave është rreth 900.000 euro. Ne do ti publikojmë shumë shpejtë raportet financiare në uebfaqen tonë zyrtare sepse jemi të detyruar. Njëherë duhet të presim që të përfundoj procesi i auditimit” deklaroi Krasniqi.
Prishtina gjatë vitit 2018 ka zhvilluar ndeshje në rrethin parakualifikues dhe kualifikues të Ligës së Evropës, duke shpenzuar një shumë të konsiderueshme për udhëtim dhe akomodim në Gjilbraltar dhe Luksemburg. /Indeksonline/