Shigjetarët kosovarë garojnë në Kampionatin Evropian “Samsun 2019”
Shigjetarët më të mirë të Kosovës, në konkurrencën e seniorëve dhe juniorëve, po marrin pjesë për momentin në kampionatin evropian të sallës, që po mbahet në Samsun të Turqisë, prej 25 shkurt deri më 2 mars 2019.
Kosovën e përfaqësojnë katër garuesit: Atdhe Luzhnica e Hazir Asllani, në kategorinë e seniorëve, dhe Drenis Mala e Edi Dvorani, tek juniorët.

Luzhnica e Asllani janë bursistë Olimpikë për Lojërat Olimpike Tokio 2020, ndërsa Drenisi është Shpresë Olimpike 2019.
Evropiani “Samsun 2019” është i vlefshëm edhe për pikë kualifikuese për në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Bashkë me garuesit janë edhe trajnerët Fehmi Bylykbashi dhe Agron Mala.
“Përshtypjet e para janë se të katër garuesit kosovarë janë në formë të mirë të paraqitjes dhe përgatitjeve dhe shpresojmë të dalin me rezultate të mira”, thuhet në njoftimin e Federatës së Shigjetarisë së Kosovës.
Sot do të nisin garat zyrtare, ku do të garojnë edhe garuesit kosovarë.
