Policia kërkoi ndihmë edhe nga komunat tjera për zjarrin në ‘Viva Fresh’ i lënduar mbeti një zjarrfikës
Një zjarrfikës ka mbetur i lënduar gjatë përpjekjeve për të lokalizuar zjarrin që përfshiu sot qendrën tregtare ‘Viva Fresh’ në qendër të qytetit të Gjakovës.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj ka deklaruar se të gjitha njësitë relevante janë vënë në pozicion në vendin e ngjarjes dhe se nuk ka ndonjë person tjetër të lënduar.
E njëjta ka theksuar se për të lokalizuar zjarrin dhe për të vënë gjithçka nën kontroll është kërkuar ndihmë edhe nga komunat e tjera, raporton Indeksonline.
Njoftimi i plotë:
Me datë 10.03.2019 në ora 15:45 stacioni policor në Gjakovë ka marr informacion se objekti i qendrës tregtare ,, Viva Fresh Store” që gjendet në qendër të qytetit të Gjakovës ishte përfshirë nga zjarri. Të gjitha njësitë relevante kanë dal në vendin e ngjarjes. Janë evakuuar të gjithë personat që ishin brenda objektit. Policia ka kërkuar ndihmë edhe nga komunat tjera.Dëmet janë të konsiderueshme ndërsa të lënduar nuk ka përveç një zjarrfikësi. Të gjitha njësitë vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.