75 Mall Live Search
12:14 / E Premte, 05 Prill 2019 / indeksADMonline

Flamuri i Kosovës në stadiumin rus, sqarohet MPJ e Rusisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka reaguar pas shfaqjes së flamurit të Kosovës në një ndeshje të futbollit në Grozni.

Ministria e jashtme ruse thotë se ka qenë një ‘gabim teknik vendosja e flamurit të Republikës së vetëshpallur të Kosovës’ në stadiumin në Grozny.

MPJ e Rusisë thotë se qëndrimi i Moskës mbi mosnjohjen e Kosovës bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 mbetet i pandryshuar.

“Gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipit Ahmat dhe Spartak në Grozni më 30 mars të këtij viti në stadiumin Ahmat Arena, është shfaqur flamuri i të ashtuquajturës republikë e Kosovës. Në lidhje me rastin kemi lajmëruar zyrtarët e Republikës së Çeçenisë se nuk është e lejueshme shfaqja e simboleve të shteteve të papranuara në territorin e Rusisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Këtë incident e konsiderojmë si gabim teknik. Qëndrimi i Rusisë për mosnjohjen e Kosovës është i pandryshuar. Ai është i përcaktuar me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e plotë. /IndeksOnline/