75 Mall Live Search
07:58 / E Shtunë, 20 Prill 2019 / indeksADMonline

Kthimi i familjarëve të xhihadistëve në Kosovë, detajet

Në orët e para të mëngjesit, në aeroportin e Prishtinës kanë ateruar një grup i grave dhe fëmijëve të xhihadistëve të cilët kanë qenë të ngujuar në kampet në Siri, njofton Indeksonline.

Për t’u kujdesur për ta forca të shumta të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe Njësinë Speciale, kanë qenë prezente në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.


Ky numër i familjarëve, i cili sipas burimeve të Indeksonline është rreth 100, është strehuar në Qendrën e Azil Kërkuesve në Vranidoll, në afërsi të kryeqytetit.

Kjo qendër disa orë më parë ka qenë e rrethuar me forca të Njësisë Speciale.

Pas largimit nga aeroporti, i pari i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha në një deklaratë të shkurtër për media, se operacioni është kryer me sukses.

Ai hezitoi të jepte detaje të tjera, duke thënë se të gjitha të rejat do i bëjë të ditura sot në një konferencë për media e cila do të mbahet në objektin e Qeverisë së Kosovës.

“Operacioni i planifikuar për kthimin e disa qytetarëve tonë nga Siria tashmë ka përfunduar me sukses dhe çdo detaj tjetër do të merrni nesër në një konferencë në orën 10”, tha Tahiri.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në muajin shkurt, në zonën e konfliktit në Siri kanë qenë 44 gra dhe 48 fëmijë kosovarë.

Numri i luftëtarëve kosovarë që mbeten ende në zonën e konfliktit është 56, ka thënë Policia e Kosovës më 25 shkurt.

Shteti Islamik, i cili në vitin 2014 ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në pjesë të Sirisë dhe Irakut, është raportuar se ka humbur kontrollin në territorin e fundit në muajin mars. /Indeksonline/