Kurti e Konjufca padisin Thaçin e Veselin për shpifje
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bashkë me shefin e Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjfuca kanë dorëzuar sot në Pallatin e Drejtësisë një padi.
Ata kanë paditur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli se kanë shpifur në deklaratat e tyre në seancën e ‘Syrit të Popullit’, raporton Indeksonline.
Kurti ka thënë se Thaçi e Veseli dhanë deklarata të rreme, derisa ishin betuar për të thënë të vërtetat.
“Me rastin e kallëzimit penal, këtu në prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda kundër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kundër kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ne këtë kallëzim penal po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta dy i kanë bërë me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar në procesin gjyqësorë, kundër të ashtuquajturit organizatë Syri i Popullit, me rastin e sublimit që kanë bërë këta dy krerë institucionesh kundër Glaukut, meje dhe Sadri Ramabajës. Ata kanë dhënë deklarata të rrejshme dhe këtë e kanë bërë nën betim prandaj ne po bëjmë sot kallëzim penal”, ka thënë Kurti.
Kurse, Konjufca ka theksuar se dyshja kanë shpifur me tendencën politike që përmes kontrollit të drejtësisë të luftojnë Vetëvendosjen, si përpjekje për ta eliminuar atë.
“Ata pretendojnë se jemi lidhur me një organizatë terroriste. Presidenti ka thënë dhe ka urdhëruar gjykatat që të zgjerojnë akuza në drejtim të Albinit dhe meje. Ai përmes sistemit të drejtësisë ka dashur të godas kundërshtarët politik”, ka thënë Konjufca.
Pavarësisht sic tha ai, kapjes së drejtësisë nga shteti, po e dorëzojnë padinë duke shprehur besimin se megjithatë ka prokurorë të guximshëm që do të guxojnë të merren me këtë padi. /Indeksonline/