75 Mall Live Search
15:47 / E Premte, 10 Maj 2019 / indeksADMonline

Kryeministri me prindërit e vëllezërve Bytyqi: Qeveria do të jetë në mbështetje të tyre

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në një takim prindërit e vëllezërve Bytyqi që u vranë nga forcat serbe më 1999, Agron, Yll dhe Mehemt Bytyqi.

Haradinaj me këtë rast tha se dëshmia e vëllait të tyre Ilir Bytyqi para Kongresit Amerikanë shënon një kthesë të rëndësishme në ndriçimin e së vërtetës për krimet serbe në Kosovë.

Postimi i Haradinajt:

Tre heronjtë e Kosovës, vëllezërit Bytyqi, Agroni, Ylli dhe Mehmeti, lanë gjithçka që kishin ndërtuar përtej Atlantikut për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut.

Prita sot prindërit e tre luftëtarëve të lirisë, bacën Ahmet me zonjën Bahrije, të cilët që dy dekada nuk i ndalën përpjekjet për ndriçimin e fatit të bijve të tyre, të rrëmbyer nga shteti serb dhe të ekzekutuar pa gjyq.

Dëshmia e Ilir Bytyqit para Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan për vrasjen e tre vëllëzërve të tij, shënon një kthesë të rëndësishme në ndriçimin e të vërtetës për krimet serbe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës do të jetë krah tyre për t’i mbështetur në betejën për vendosjen e drejtësisë.