75 Mall Live Search
20:55 / E Martë, 04 Qershor 2019 / indeksADMonline

Rrahmani jep një lajm fantastik para ndeshjes me Malin e Zi

Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur seancën e tretë përgatitore në prag të dy ndeshjeve kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Në stërvitjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri”, përzgjedhësi Bernard Challandes ka pasur në shërbim të gjithë futbollistët, pasi ekipit i është bashkuar edhe Benjamin Kololli.

Pas ndeshjes në konferencën për media u paraqit Amir Rrahmani, i cili ndër të tjera ka thënë se lëndimi i tij nuk ishte serioz dhe është i gatshëm për ndeshjet e radhës.

“Edhe pse kemi shumë mungesa mendoj se kemi futbollistë mjaft cilësor të cilët mund ta zëvendësojnë secilin që mungon. Personalisht mendoj se dueli me Malin e Zi do të jetë më i vështirë, pasi ka lojtarë shumë kualitativ dhe e kanë dëshmuar veten edhe kohët e fundit. Nuk them se Bullgaria është e dobët, por mendoj se për ne do të jetë më e lehtë se sa në ndeshjen e kaluar, ngase do të kemi më shumë hapësira për t’i ndëshkuar”, ka theksuar Amir Rrahmani.

Ai ka thënë se lëndimi që kishte pësuar në gju në finalen e Kupës së Kroacisë fatmirësisht nuk ka qenë aq i rëndë sa që mendohej fillimisht dhe çdo ditë e më shumë po e rimerr veten.

“Realisht ende nuk ndihem në 100 përqindëshin tim. Por do ta shohim si do të shkoj procesi deri në ditën e ndeshjes dhe pastaj do ta vendosim bashkë me trajnerin dhe stafin mjekësor”, ka shtuar Rrahmani.