Banorët pengojnë Policinë e Kosovës për të penguar një kombi me mallra kontrabandë
Një kombi përplot me mallra kontrabandë që ka hyrë ilegalisht nga Serbia, është ndaluar nga një patrullë e policisë së Kosovës sot rreth mesditës në fshatin Zhitkovc të Zveçanit, por përkundër përpjekjeve për ta dërguar në terminalin doganor, një gjë e tillë ka dështuar, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, dërgimin e mallit në terminal e kanë penguar banorët e Zhitkovcit, të cilët janë tubuar sapo kanë kuptuar për çfarë po bëhet fjalë, ndërsa patrulla policore pas rreth një orë përpjekje, është tërhequr.
“Më shumë se 60 qytetarë janë tubuar shumë shpejt dhe kanë kundërshtuar policët për ta marrë kombin. Ka pasur edhe fyerje dhe fjalë të rënda nga qytetarët në drejtim të policëve. Patrulla e policisë ka pritur përforcime gati një orë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe është detyruar të tërhiqet”, kanë thënë këto burime, duke shtuar se malli ka qenë i dedikuar për kompaninë ‘Vrbas’ në veri të Mitrovicës, pronar i së cilës është personi me mbiemrin Vllashkoviq.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Bratislav-Bane Radoviq, nuk e ka pohuar dhe as mohuar ngjarjen. “Deri tani nuk më ka ardhur ndonjë raport zyrtar rreth kësaj, andaj nuk mund t’ju them asgjë”, i ka thënë KosovaPress-it shkurt përmes telefonit Radoviq.