Inskenimi i krizës humanitare nga serbët, tendencë për destabilizim në veri
Serbia që disa ditë po ‘kurdis’ një plan të paraqitjes së gjendjes së rëndë humanitare në veri kinse për mungesë të produkteve me prejardhje nga ky shtet.
Për këtë plan të Serbisë është informuar edhe Qeveria e Kosovës nga mekanizmat e sigurisë.
Në këtë pjesë të Kosovës të banuar me serbë, po bëhet thirrje që gjatë këtyre ditëve të mos blihen produkte prej shqiptarëve.
Siç raportoi edhe Indeksonline, nga takimi i biznesmenëve është arritur marrëveshje që me 1 dhe 2 korrik të mos hapet asnjë subjekt afarist.
Njohësi i ekonomisë, Naim Gashi për portalin ka thënë se Vuçiq po i përdorë metodat e ish-shefit të tij.
Ai për Indeksonline ka thënë se as në pjesën veriore e as jugore nuk ka asnjë indikacion që të këtë krizë humanitare.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç po përdor metodat e ish shefit të tij, Slobodan Millosheviq, kur shërbente si ministër i Informacionit, për të viktimizuar serbët e Kosovës se gjoja po përballen me krizë humanitare. As në pjesën veriore dhe as jugore të Kosovës nuk ka pas dhe nuk ka asnjë indikacion të ketë krizë humanitare, përkundrazi produktet e Serbisë janë zëvendësuar me prodhime të vendeve të tjera”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se përmes këtij plani po tentohet që të gjenden rrugë ilegale për futjen e mallrave pa kontrolle dhe pa i doganuar.
“Deklaratat e Marko Gjuriq se do të gjejnë mënyrë për t’i furnizuar serbët e Kosovës me mallra, është thirrje për kontrabandistë për të gjetur rrugë ilegale për futjen e mallrave pa kontroll dhe pa doganuar në Kosovë. Fatkeqësisht klasa politike në Serbi, i keqpërdor serbët e Kosovës për të qëndruar në pushtet me kauza të rrejshme patriotike se gjoja ata janë shpëtimtarët e serbëve në Kosovë”, ka shtuar Gashiu.
Ai ka theksuar se institucionet kosovare duhet të jenë me vigjilente ndaj këtij provokimi të Serbisë.
“Institucionet e rendit në Kosovë duhet të jenë vigjilente sepse ky është provokimi i radhës i Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa Inspektorati i tregut duhet të përcjell me kujdes në rast të ndonjë sabotazhi për heqjen e mallrave nga marketet, duhet të gjenden alternativa për furnizimin e popullatës atje”, ka theksuar Gashi.
Edhe ekonomisti tjetër, Lulzim Beqiri për Indeksonline thotë se inskenimi i katastrofës humanitare është tendencë për destabilizimin e pjesës veriore.
“Prandaj Qeveria e vendit do te duhet te kishte një plan operativ lidhur me demaskimin e kësaj katastrofe humanitare, pra Qeveria e vendit përmes strukturave komunale duhet të ofrojë mallra dhe shërbime të cilat kanë nevojë qytetarët, sepse mbi të gjitha jeta e qytetarëve ka rendësi më shumë se sa politika, siç dihet kjo ka qellim dashakeq nga ana e Serbisë”, ka thënë Beqiri.
Ai ka thënë se BE do duhej të reagonte dhe jo të heshtë karshi këtyre veprimeve të Beogradit që po ndikojnë situatën ekonomike, sociale e politike.
“Vazhdimisht politika në Beograd po ndikon në situatën ekonomike sociale e politike, për këtë ka një faj të madh edhe Bashkësia Ndërkombëtare e cila po hesht karshi Serbisë e cila po cenon drejtpërdrejtë sovranitetin e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka nevojë t’i përshtatet politikave ditore të Serbisë, andaj nëse ajo pjesë e Kosovës dëshiron të jetojë qetë në harmoni me ligjet, të mirëseardhur janë, por jo të privilegjuar nga pjesa shumicë” ka shtuar Beqiri
Ai ka theksuar se Qeveria do duhej ta mblidhte Këshillin e Sigurisë dhe t’i garantoj siguri për bizneset atje.
“Qeveria e vendit po i kontribuon kësaj krize duke dhënë leje qe ministër serb te vijë dhe të nxisin popullatën e komunitetit serb për inskenim, të katastrofave të tilla, tek e fundit bizneset mund të furnizohen edhe me mallra nga vende të ndryshme, mirëpo për këtë tendencë sipas mendimit tim duhet qe urgjentisht këshilli i sigurisë të mblidhet dhe të vendos për hapat me tutje, andaj duhet marr në dorë situatën duke garantuar siguri për bizneset dhe duke i furnizuar me mallrat e bollshme”, ka thënë mes të tjerash Beqiri.
Biznesmenët serb të veriut të Mitrovicës kanë marr vendim që me 1 dhe 2 korrik të mos punojë asnjë subjekt afarist në këtë pjesë. Krejt kjo për të paraqitur situatën sa më të rëndë dhe për ta përmbushur kërkesën e Beogradit se kinse një katastrofë humanitare ka goditur veriun e Mitrovicës si pasojë e mungesës së produkteve ushqimore nga Serbia.
Biznesmenët serbë po ashtu u kanë bërë thirrje banorëve të zonës që të mos blejnë produkte shqiptare.
Burimet e Indeksonline kanë treguar se në takimin e mbajtur mes biznesmenëve serbë Radosh Petroviciq, Radule Steviq, Dragan Katolik, Vllaskoviqit e biznesmenë tjerë nga komuna e Mitrovicës e Zveçanit është diskutuar edhe mundësia e bllokimit të pikave kufitare në Brnjak dhe Jarinje.
Për bllokim ose jo të kufirit, Indeksonline mëson se do të vendoset të martën (2 korrik) në takimin e radhës që do ta mbajnë serbët në lokalet e Metllac në Zveçan.
Ndryshe, biznesmenët serb të veriut të Mitrovicës kanë marr vendim që me 1 dhe 2 korrik të mos punojë asnjë subjekt afarist në këtë pjesë. Krejt kjo për të paraqitur situatën sa më të rëndë dhe për ta përmbushur kërkesën e Beogradit se kinse një katastrofë humanitare ka goditur veriun e Mitrovicës si pasojë e mungesës së produkteve ushqimore nga Serbia.
Biznesmenët serbë po ashtu u kanë bërë thirrje banorëve të zonës që të mos blejnë produkte shqiptare./Indeksonline/