86% e bizneseve të veriut sfidojnë ATK-në, nuk paguajnë tatim
Më shumë se 1 mijë biznese apo vetëm apo 14% e totalit të bizneseve që operojnë në veri të Kosovës, të regjistruara në Administratën Tatimore të Kosovës i janë nënshtruar obligimit tatimor.
Deri më tani këto biznese kanë paguar mbi 1 milion euro.
ATK, thotë se nuk ka autoritet të plotë në këtë pjesë të Kosovës për t’i detyruar ato që të kryejnë obligimet ligjore.
Në pjesën veriore të Kosovës, janë të regjistruara 1097
biznese të cilat i nënshtrohen obligimit tatimor. Zëdhënësja e Administratës
Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyçi ka thënë për Radio Kosovën se 14% të
bizneseve në veri kryejnë obligimet tatimore, ndërsa bëri të ditur se ATK, nuk
ka autoritet të plotë në atë zonë për shkak të sigurisë.
“Administrata Tatimore e Kosovës, ka autoritet edhe për pjesën veriore të
Mitrovicës, por jo aq sa duhet dhe aq sa ka nevojë implemtentimi i ligjit në
atë pjesë. Kjo për shkak të sigurisë dhe në të shumtën e rasteve për të
ushtruar autoritetin tonë ne aktivitetet i kemi bërë në asistencë të Policisë
së Kosovës”, tha Bytyçi.
Zëdhënësja e ATK-së, tha se ka pasur raste të hezitimit për të iu bindur rregullave dhe dispozitave ligjore të legjislacionit tatimor në fuqi. Mirëpo, ajo bëri të ditur se ka edhe përjashtime për shkak se një biznes në pjesën veriore është tatimpaguesi më i madh për regjionin e Mitrovicës.
Ndërkaq njohës i çështjeve të ekonomisë, Fadil Osmani, i ka thënë Radio Kosovës, se autoritete kompetente të vendit duhet të gjejnë modalitetin se si pjesa e veriut duhet ti nënshtrohen obligimeve qytetare në mënyrë që mos të dëmtohen ekonomia e vendit. Ai tha se qyetarët e kësaj zone duhet ta pranojnë që Kosova ka ligjet, institucionet dhe mekanizmat e saj prandaj edhe duhet nënshtruar obligimeve ligjore.
“Institucionet tona duhet që gjatë bisedimeve ti trajtojnë këto tema jashtëzakonisht shumë për shkak se Kosova në vazhdimësi dëmtohet me të hyra buxhetore që janë në atë pjesë. Qoftë për grumbullimin e mjeteve financiare për energji elektrike, ujë si dhe hyrat që vijnë drejtpërdrejtë nga bizneset, do të thotë të gjitha këto taksa këta qytetar të Kosovës nuk i kanë paguar duke bërë kështu që të dëmtohet ekonomia dhe buxheti i shtetit”.
Në pjesën veriore, janë 20 inspektor të ATK-së që në baza ditore zhvillojnë aktivitete operacionale apo të rregullta që janë të parapara në atë pjesë.