Menaxhmenti i UP-së deklarohet për gjendjen në FShMN, pezullohet procesi i aplikimit të studentëve të rinj
Gjatë ditës së sotme disa herë radhazi u raportua për dëmet që u shkaktuan në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore dhe tek Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut.
Nga menaxhmenti i i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë deklaruar se kanë pranuar me shqetësim situatën e krijuar dhe gjatë ditës së sotme dhe se kanë vizituar disa herë vendin e ngjarjes, për të parë nga afër gjendjen e objektit në fjalë.
“Menaxhmenti ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sanimin e dëmeve të krijuara, si dhe parandalimin e dëmeve të mëtutjeshme. Për me tepër, Rektorati ka përgatitur shkresën për të kërkuar nga organet hetimore zbardhjen e shkaktarëve real të këtij demi.Gjatë ditës, menaxhmenti ka realizuar takime me drejtues të kompanisë punëkryese për renovimin e kulmit, “Ylli Brothers Group”, nga të cilët ka kërkuar angazhim maksimal për tejkalimin e menjëhershëm të situatës. Njëherësh, është kërkuar nga punëtorët e kompanisë punëkryese dhe kompanisë së pastrimit, që të angazhohen me kapacitete të shtuara për mbajtje në kontroll të gjendjes së objektit”, thuhet në njoftimin për media, trnasmeton Indeksonline.
Tutje theksohet se për shkak të shkyçjes së energjisë elektrike, procesi i pranimit të aplikacioneve për studentë të rinj në FSHMN momentalisht është pezulluar.
“Mirëpo, është duke u punuar që së shpejti të identifikohën mundësitë se si mund të rifillojë procesi, duke garantuar që kandidatët të mos dëmtohen. Madje, në rast që paraqitet nevoja, do të zgjatet edhe afati për aplikim të kandidatëve, për çka do të njoftoheni me kohë.Menaxhmenti i UP-së, në kuadër të kompetencave të tij, zotohet në përkushtim maksimal për identifikimin e shkaktarëve të këtij dëmi, po ashtu që kandidatët për studentë, studentët dhe stafi të mos dëmtohet, si dhe premton bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të tejkaluar situatën e krijuar”, shtohet tutje nga menaxhmenti i UP-së./Indeksonline/