Armët ilegale në duart e qytetarëve, Policia sekuestron pushkë, revole e municione
Pavarësisht që Ministria e Punëve të Brendshme ka zgjatur afatin e legalizimit të armëve, shumë qytetarë mbajnë armë pa leje.
Këtë e dëshmojnë statistikat e Policisë të cilat në raporte 24 orëshe vazhdimisht raportojnë për raste të armëmbajtjeve pa leje.
Në raportin e sotëm janë identifikuar disa raste të armëmbajtjeve pa leje përkatëse nga MPB.
Në Fushë Kosovë një person është shoqëruar për në stacionin policor, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me katër copë fishekë.
Me vendim, ai është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
Edhe në Prishtinë, Policia ka kontrolluar shtëpinë e një të dyshuarit, të cilit i janë gjetur një pushkë, një pistoletë dhe 164 copa fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Ky rast është duke u hetuar nga policia, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar.
Armët pa leje po gjenden edhe nëpër ahengje familjare. Kështu në Gjilan është raportuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në një aheng.
Policia në këtë vend ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë nga i dyshuari i komunitetit serb.
Edhe një rast tjetër, në Suharekë, një person është shoqëruar për në stacionin policor, pasi që të njëjtit i është gjetur armë zjarri pa leje që është përdorur në aheng familjare.
Armë pa leje janë hasur edhe në Gjakovë. Sipas raportit të Policisë, të personi i dyshuar i është gjetur një revole, dy karikator dhe 36 fishekë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar me procedurë të rregullt./Indeksonline/