Milan mposht lehtësisht Feronikelin në miqësoren e zhvilluar në “Fadil Vokrri”
Miqësorja historike e zhvilluar mes Feronikelit dhe Milanit në “Fadil Vokrri” ka përfunduar me fitoren e mysafirëve, me rezultat 2-0.
Milan ishte skuadër më e mirë nga fillimi deri në fund të ndeshjes, duke krijuar një numër të konsiderueshëm të shanseve për gol.
“Rossonerët” kaluan në epërsi pas 23 minutave lojë, ku Suso shënoi një gol fantastik nga goditja e dënimit. Ky ishte edhe goli i vetëm i shënuar në pjesën e parë.
Edhe në pjesën e dytë Milani vazhdoi të krijoj raste, duke arritur të dyfishoj epërsinë në minutën e 57-të.
Goli u shënua nga Fabio Borini, i cili u shërbye mjaft mirë nga i transferuari ditë më parë nga Lille, talenti Leao.

Rrjetin arriti ta gjej edhe Piatek, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë lojë. Shansin e vetëm dhe më të mirë për Feronikelin e kishte qendërsulmuesi Kastriot Rexha, i cili goditi traversën. /IndeksOnline/