75 Mall Live Search
15:28 / E Martë, 17 Shtator 2019 / indeksADMonline

20 ditë para zgjedhjeve, ngrihet aktakuzë ndaj zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

Aliu, i cili është kandidat aktual për deputet për zgjedhjet e sivjetshme të 6 tetorit, akuzohet për veprën penale: “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Kjo aktakuzë ndaj tij, është ngritur për shkak se siç pretendon prokuroria, Aliu në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 21 mars 2018, kishte marrë nga tavolinat e deputetëve 40 kartela zyrtare që shërbejnë për votim.

Ish-deputeti Aliu, këto kartela i kishte marrë me qëllim që të pamundësohej votimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për drejtësi”, Prokuroria Themelore e Prishtinës aktin akuzues ndaj Aliut e kishte ngritur më 26 korrik 2019.

Ndërsa, Gjykata Themelore e Prishtinës, këtë aktakuzë e ka pranuar më 30 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu, akuzohet se si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, shkruan “Betimi per drejtsi”.

Prokuroria pretendon se derisa deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë në pauzë, i akuzuari Liburn Aliu është futur në sallën e Legjislativit dhe nga tavolinat e deputetëve ka marrë rreth 40 kartela zyrtare për votim, duke pamundësuar zhvillimin e suksesshëm të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.