Arrestohet edhe personi i katërt, i dyshuar për plagosjen, në Pejë
Policia e Kosovës- hetuesit rajonal të Drejtorisë Rajonale në Pejë pas një pune intensive operativo-hetimore, më 17.09.2019, kanë arritur që ta arrestonin edhe personin e katërt të dyshuar të rastit të plagosjes.
Me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, për të vazhduar me procedura të mëtejshme ligjore.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Pejës – Departamenti për krime të rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të të pandehurve V.K dhe A.U, për shkak të dyshimit të bazuar se:
I pandehuri V.K: Më 10.09.2019, rreth orës 12:50, në Pejë, me dashje ka tentuar ta privonte nga jeta këtu të dëmtuarin A.U, me këtë rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit tjetër dhe të kalimtarëve të tjerë që ishin në rrugë, në atë mënyrë që për shkak të problemeve të mëparshme që kanë pasur, ditën kritike i pandehuri së bashku me të dyshuarin L.K, me veturën e tyre kanë shkuar për t’u takuar me të dëmtuarin i cili ishte duke e drejtuar veturën e tij, këtu i pandehuri me të shpejtë del nga vetura e tij dhe shtënë tri herë në drejtim të dëmtuarit për ta privuar nga jeta mirëpo nuk ka pasur mundësi ta godasë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime i pandehuri V.K dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.
I pandehuri A.U: Më 10.09.2019, rreth orës 13:10, me dashje ka tentuar ta privonte nga jetë të dëmtuarin K.K, në atë mënyrë që të njëjtën ditë pikërisht në vendin dhe mënyrën e përshkruar si më lartë ka qenë i sulmuar me armë nga i pandehuri V.K i cili së bashku me të dyshuarin tjetër janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe rrugës kanë vërejtur të dëmtuarin K.K, i cili është i afërm i të pandehurit V.K, me të vërejtur të dëmtuarin, i pandehuri ka shtënë një herë në drejtim të viktimës K.K duke e plagosur në këmbën e majtë, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë./Indeksonline/
