Flet “bomberi” i Superligës, kërkon garat evropiane
Janë zhvilluar gjashtë xhiro që nga fillimi i Superligës së Kosovës dhe tashmë ka filluar të ndahet “shapi nga sheqeri”.
Tashmë skuadrat janë ambientuar me edicionin e ri, kurse lojtarët që po e tregojnë veten kanë dalë në krye të renditjeve.
Futbollisti që ka rënë në sy në këtë fillim, është sulmuesi i Trepça ’89, Arb Manaj, i cili po shkëlqen me mitrovicasit.
21- vjeçari është në krye të realizatorëve, ku së bashku me Kastriot Rexhën kanë shënuar nga pesë gola.

Në një prononcim për Indeksonlinen, Manaj ndihet shumë mirë që kryeson listën e top realizatorëve të Superligës.
“Natyrisht që ndihem mirë që kryesoj listën e top golashënuesve së bashku me Kastriot Rexhën. Kjo e gjitha është falë punës së madhe dhe ndihmës së bashkëlojtarëve“, ka thënë Manaj.
Edhe pse është në garë për “Këpucën e Artë”, Arbi primare thotë se e ka suksesin me klubin dhe jo atë individual.
“Për mua primare janë objektivat me klubin dhe jo të arriturat individuale. Shpresoj dhe besoj shumë që në fund të jemi sa më lartë në tabelë dhe pse jo në garat evropiane“, përfundoi 21 vjeçari.
Arb Manaj edhe vitin e kaluar ishte pjesë e Trepça ’89, ku në 16 ndeshje realizoi shtatë gola. /IndeksOnline/
