75 Mall Live Search
12:24 / E Mërkurë, 02 Tetor 2019 / indeksADMonline

​Rezultatet e Solskjaerit, më të dobëta se të Moyes dhe të Mourinhos

Manchester Unitedi s’arriti më shumë se barazim 1:1 në sfidën e së hënës ndaj Arsenalit, duke u ngjitur në kuotën e 9 pikëve pas 7 javëve të zhvilluara në Kampionatin anglez.

Është ky një rezultat që bën që Manchester Unitedi me Ole Gunnar Solskjaerin në pankinë të regjistrojë startin më të dobët të sezonit.

Tashmë pozitat e trajnerit norvegjez janë tronditur ndieshëm, duke qenë se skuadra e “Djajve të kuq” në këtë moment ndodhet në vendin e 10-të për shkak të rezultateve jo shumë pozitive me Solskjaerin që në këtë rekord negativ ka lënë pas si, Jose Mourinhon ashtu edhe David Moyesin, me këta të fundit që grumbulluan 10 pikë secili me Manchester Unitedin në po të njëjtën periudhë të sezoneve të tyre respektive.

Bilanci i Manchester Unitedit me Solskjaerin në pankinë për këtë sezon flet për 2 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje në Premier League, ndërkohë që mori një fitore pas lotarisë së 11-metërshave në Kupën e Ligës ndaj Rochdales dhe atë ndaj Astanës në Europa League./Indeksonline/