75 Mall Live Search
13:45 / E Mërkurë, 02 Tetor 2019 / indeksADMonline

Nga ndihmat në UÇK, dhurimi i kamionit për FSK-në, mijëra donacione e humanitet, profili i Gani Dreshajt të AAK-së

Gani Dreshaj është një nga kandidatët me profilin më të çmuar si deputet. I lindur në Vrellë të Istogut, Dreshaj u detyrua të linte vendlindjen në moshën e re për të kërkuar fatin e jetës në Gjermani.

Si një adoleshent, Dreshaj sakrifikoi rininë e tij duke punuar shumë në Gjermani për të ndihmuar atëbotë familjen e tij që nuk e kishte jetën e lehtë në Kosovë.

Fakti që i takonte familjes së Sylë Dreshës, ish-mjekut të famshëm popullor në Kosovë e gjetiu, nuk përbënte një fakt që mund të përballonte krizën atëherë normale në shumë familje kosovare.

Por, puna dhe përkushtimi që kishte në Gjermani, bënë që Gani Dreshaj të merrte këmbët fuqishëm, duke u futur në biznes. Me hapa të sigurt, ai ngadalë po shëndrrohej në një biznesmen të njohur në Hamburg të Gjermanisë.

Fatin e suksesit të tij e gëzonin edhe shqiptarët ngase shumë kosovarë e familjarë i kishte angazhuar me punë në gastronomi.

Por, dashuria për atdheun nuk e la asnjëherë Gani Dreshajn larg Kosovës.

Paratë e fituara më djersë e punë, Dreshaj i investoi në vendlindje në disa biznese.

Sot është pronar i disa firmave të njohura, përfaqësues i gjigantit gjerman të vajërave motorike, Rowe, dhe së fundi edhe pronar i një palestre sportive që lirisht mund të thuhet se është më e bukura në Kosovë.

Ata që e njohin Gani Dreshajn, e njohin shpirtin e tij human. Që nga paslufta, biri i Vrellës ka dhuruar mijëra ndihma, ka ndërtuar shtëpi, ka ndihmuar të sëmurë, ka ndihmuar sportistë, ka shtruar qindra kilometra rrugë e trotuare, dhe ka financuar shumë klube sportive.

Por, Ganiu shquhet edhe për kontributin e madh që ka dhënë në luftë.

Ai ka qenë pjesë e luftës në shumë mënyra, qofte fizike, por edhe materiale.

Kur municioni po hargjohej në luftën çlirimtare, Gani Dreshaj kishte financuar në blerjen e kuajve për transportin e armëve dhe si blerjen e municionit.

I lidhur fort me luftën çlirimtare, pasi Kosova u bë me ushtri, Gani Dreshaj i dhuroi FSK-së kamionin ushtarak të cilin e kishte blerë në Gjermani.

Simpatizantët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e njohin Gani Dreshajn si njeri shumë të afërt me Ramush Haradinajn pasi që ishte krahu i djatht i tij në Hagë dhe Strasburg.

Dreshaj njihet edhe si njeri i afërt me politikën gjermane, sidomos CDU-në e Angela Merkelit.