Prokuroria Themelore e Prizrenit ngrit aktakuzë për personin që fotografoi votën dhe e publikoi në Facebook
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i dyshuari A.M., me datë 06.10.2019 rreth orës 13:20 minuta në Mamushë në vendvotimin 3201A në shkollën fillore “Anadolu” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton fletëvotimin përmes telefonit celular “Samsung Galaxy J3” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social “Facebook”, transmeton Indeksonline.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.M., ka përmbushur elementet e veprës penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë./Indeksonline/
Ndryshe në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, 2019 është raportuar edhe për shumë parregullësi të tilla gjatë procesit të votimit sidomos fotografimi i votës ka qenë më i shpeshtë./Indeksonline/