Irani kërcënon Amerikën, ndez centrifugat bërthamore
Irani kërcënon me nisjen e punës për pasurimin e uraniumit dhe krijimin e lëndëve bërthamore. Vendi kërkon heqjen e sanksioneve dhe kthimin e palës amerikane te marrëveshja e katër vjetëve më parë, përpara se të respektojë zotimet e veta.
Irani do nisë aktivitetet bërthamore, duke i kthyer krahët zotimeve të marra më 2015.
Presidenti iranian, Hasan Ruhani, tha të martën se në 1 mijë centrifugat e impiantit të Fordout do të injektohet gaz uraniumi nga dita e nesërme.
Teknika përdoret për pasurimin e shpejtë të metalit radioaktiv, por në nivelin aktual nuk mjafton për ndërtimin e një arme bërthamore.
“Veprimtaria jonë do të mbikëqyret nga Agjencia e OKB-së për Energjinë Bërthmore. Ky proces është tërësisht i kthyeshëm dhe lëshimi i gazit do të ndërpritet sërish sapo vendet e tjera firmëtare t’u përmbahen zotimeve të tyre”, deklaroi Ruhani.
Pala amerikane prej me shumë se një viti është tërhequr vetë nga marrëveshja bërthamore dhe aplikon sanksione maksimaliste kundër Teheranit.
Departamenti i Financave në Uashington njoftoi një ditë më parë se po planifikon masa të reja kundër rrethit të ngushtë të liderit suprem të Iranit, Ali Kameni, nën dyshimin se ata prej dekadash shtypin popullin iranian, eksportojnë terrorizëm dhe avancojnë politikat destabilizuese në botë.
Shtetet e tjera firmëtare si Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia kanë apeluar të dyja palët të veprojnë me maturi.