Dhuna në shkolla, 12 nxënës të lënduar brenda 2 muajve
Dhuna nëpër shkollat e Kosovës është bërë dukuri mjaft shqetësuese pasi nuk janë të rralla rastet. Vetëm që nga viti i ri shkollor 2019/2020, pra që nga muaji Shtator të këtij viti, Policia e Kosovës ka evidentuar 28 raste të incidenteve të shkollave në Kosovë.
Në këto raste përfshihen përleshje fizike, dëmtim të pronës, posedim të mjeteve të paligjshme etj.
Rastet më të shpeshta, ndodhin si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes nxënësve. Lëndimet shpesh vijnë edhe si pasojë e zënkave dhe mosmarrëveshjeve mes nxënësve, raste të cilat shpesh kanë përfunduar edhe me plagosje, shkruan Indeksonline.
Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës, ku është thënë se vetëm nga muaji Shtator, 12 nxënës kanë pësuar lëndime trupore, ku një nga rastet ka qenë me lëndime të rënda pra, si pasoj e përleshjeve nëpër shkollat e Kosovës.
“Nga fillimi i vitit të ri shkollor 2019/2020, bazuar në statistikat e pranuara nga të gjitha rajonet policore janë raportuar 11 Raste të lëndimit të lehtë trupor kurse një rast të lëndimit të rëndë trupor” ka thënë për Indeksonline Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.
Ndërsa sa i përket incidenteve të tjera sipas policisë lidhën me raste të ndryshme si vjedhje, kanosje etj.
“Gjatë kësaj periudhe janë raportuar dy raste të prishjes së rendit dhe të qetësisë publike, një rast të vjedhjes, 3 raste të vjedhjes së rëndë, 4 Raste të dëmtimit të pronës, 4 Raste të posedimit të armës së ftohtë si dhe,2 raste të kanosjes”, ka thënë Kelani.
Kurse, sipas Policisë së Kosovës për periudhën e cekur janë raportuar edhe dy raste të posedimit të substancave narkotike në shkolla.
Këto incidente nuk mund të themi së janë të rralla nëpër institucionet e arsimit, mirëpo sipas policisë, siguria është në nivel të duhur pasi që shkollat kontrollohen shpesh nga patrullimet.
“ Policia e Kosovës ndaj rasteve të tilla ndërmerr masa proaktive dhe reaktive. Në masat proaktive hyjnë patrullimet e shpeshta përreth shkollave, fushatat e ndryshme vetëdijësuese që kanë për qëllim parandalimin e krimit, ligjërata që ndërlidhen me tema rreth parandalimit të krimit tek të miturit. Në masa reaktive hyjnë reagimi i menjëhershëm policor si dhe procedimi tek organet kompetente”, është thënë nga policia për Indeksonline
Ndërkaq gjatë vitit 2018 ishin gjithsej 477 raste të raportuara që lidjhen me dhunën në shkolla. “Policia e Kosovës në kuadër të planifikimeve ka të angazhuar zyrtarë të natyrave të ndryshme, por përparësi kanë zyrtarët e drejtorive në bashkësi që të bëjnë vizita nëpër gjitha shkollat, kanë kontakte të vazhdueshme me personelin policor, në mënyrë që të bëjnë planifikime të përbashkëta sa i përket sigurisë në shkolla dhe përreth tyre”./Indeksonline/