Vëllaznimi në krizë financiare, pranon të luaj si mysafir vetëm për të mos i paguar gjyqtarët
Vëllaznimi po përjeton momentet më të vështira që prej themelimit, teksa po lufton për mbijetesë në Ligën e Parë këtë sezon.
“Zhdukja” e Agim Canës dhe “gjumi” i Ardian Gjinit, kanë bërë që kuqezinjtë të mbeten pa “zot shtëpie” e me “1001” probleme organizative e financiare këtë sezon.
Shorti i Kupës së Kosovës ka përcaktuar duelin Vëllaznimi-Ferizaj, ndeshje e cila është paraparë të luhej në Gjakovë.
Gazeta Olle mëson se Vëllaznimi, duke qenë në krizë të thellë financiare, i ka propozuar klubit kundërshtar që ndeshja të luhet në Ferizaj, nëse ferizajasit paguajnë zyrtarët e ndeshjes.
Ferizaj ka pranuar propozimin e Vëllaznimit dhe kësisoj ndeshja do të luhet në shtëpinë bardhekaltër.
Gazeta ka kontaktuar zëdhënësin e Ferizajt, Fatlum Kosumi, i cili e ka konfirmuar lajmin.
“Po, është e vërtetë që kemi arritur marrëveshje me Vëllaznimin që ndeshjen e Kupës së Kosovës ndaj tyre ta zhvillojmë në Ferizaj, ani pse shorti e përcaktoi këtë ndeshje në Gjakovë. Ne do të jemi vendës dhe do të paguajmë shpenzimet e ndeshjes”, deklaroi Kosumi.
Kujtojmë që Vëllaznimi ka bërë paraqitje fantastike në dy edicionet e fundit të Kupës së Kosovës.
Në edicionin 2017/18, Vëllaznimi ishte në finale ku pësoi humbje nga Prishtina, ndërsa në edicionin e kaluar të Kupës u eliminua në gjysmëfinale nga Trepça ’89.
Ferizajasit konsiderohen favoritë ndaj gjakovarëve në ndeshjen e mesjavës, duke parë potencialin aktual të dy ekipeve.